Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit dhe “reformat” në industrinë e filmit
Nga: Nicholas Barber / BBC (titulli origjinal: Will All Quiet on the Western Front win best picture Oscar?)
Kanë qenë të lehta për parashikim, disa prej nominimeve për filmin më të mirë për çmimin Oscar të këtij viti. Për shembull, Fabelmans është letra e dashurisë për kinemanë e të nderuarit Steven Spielberg, kështu që kjo pritej. Top Gun: Maverick ishte një sukses komercial dhe kritik, kështu që mund t’ia dilte mbanë. Por, një film në listën e ngushtë i ka befasuar ekspertët: Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit (All Quiet on the Western Front). Përshtatur nga romani klasik i Luftës së Parë Botërore i shkrimtarit Erich Maria Remarque, pati shpërndarje të paktë nëpër kinema para se të transmetohej në Netflix; rolin kryesor aty e ka aktori austriak Felix Kammerer, i cili kurë më parë nuk ka qenë në ndonjë film; ndërsa regjisori Edward Berger shumicën e punës e ka bërë në televizion. Është po ashtu film gjerman – dhe asnjë film i mëparshëm gjerman nuk ka qenë ndonjëherë në garën për filmin më të mirë. Shumë kritikë prisnin që Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit do të dalë në listën e filmave më të mirë ndërkombëtarë, por jo vetëm që ka marrë nominimin për filmin më të mirë, por u fut edhe në tetë kategori të tjera. Dhe, më pas fitoi çmimin si filmi më i mirë në BAFTA, kështu që një film fillimisht i anashkaluar u bë shumë i preferuar. Paraqiste tronditje më e madhe për çmimet Oscar sesa kur Will Smithi e goditi Chris Rockun më 2022.
Megjithatë, ndoshta kjo është një mënyrë e vjetruar për ta parë këtë kështu. Çmimet Oscar dhe industria e filmit, në përgjithësi, kanë ndryshuar kohët e fundit – në të gjitha format dhe mënyrat radikale. E, nëse i bashkoni këto qasje, atëherë drama epike e luftës e Bergerit, papritmas duket si zgjidhja më logjike nga të gjithë filmat tjerë.
Një reformë e rëndësishme erdhi në vitin 2009, kur Akademia njoftoi se numri i filmave në kategorinë e filmit më të mirë po rritet nga pesë në dhjetë. Teorikisht, kjo lejonte filmat e tillë si The Dark Knight dhe Wall-E të nominoheshin për çmimin kryesor, pasi që të dy nuk ishin përfillur në fillim të atij viti. Në praktikë, filmat e suksesshëm ende nuk kanë shumë fat: Black Panther dhe Joker janë të vetmit filma me superheronj që janë përzgjedhur në listën e ngushtë – që nga viti 2009. Por, rregulli i ri bëri që filmat më të pazakontë të shfaqen në listën e filmave më të mirë – dhe më shumë filma që gjithashtu nuk janë në anglisht.
Deri në vitin 2018, vetëm nëntë filma të tillë kishin hyrë ndonjëherë në këtë kategori: një mesatare e përafërt prej një në çdo dekadë. Por, qëkur Roma e Alfonso Cuaróni u nominua për çmimin kryesor Oscar më 2019, çdo vit ishte një film kandidat që nuk ishte në gjuhën angleze – ndërsa filmi korean, Parasite, fitoi si filmi më i mirë në vitin 2020. “Sapo ta kapërceni pengesën një inç të gjatë në titra, do të njiheni me më shumë filma të mrekullueshëm”, ka thënë regjisori i filmit, Bong Joon-ho, kur e ka marrë statuetën.
Ai iu referohej hezitimit të disa audiencave anglishtfolëse për t’u përfshirë me filmat me titra, por ky ngurrim çuditërisht shumë shpejt është zhdukur. Një studim i publikuar i vitit 2021 zbuloi se katër nga pesë shikues të moshës 18 deri në 25-vjeçre i lëshojnë titrat kur e shohin televizorin – katër herë më shumë se shikuesit mes 56 dhe 75-vjeçare. Për të rinjtë që janë mësuar të shikojnë videot në celular, kudo ku ndodhen, titrat janë pjesë standarde e përvojës me ekranin, kështu që e kalojnë me lehtësi “barrierën një inç të gjatë”.
Ndërkohë, gjigantët e transmetimit në internet janë përqendruar në ndërtimin e bazave të veta të abonentëve anembanë globit, kështu që kanë financuar, shpërndarë dhe promovuar me entuziazëm filmat që nuk janë në gjuhën angleze – në mënyrën që studiot tradicionale të Hollivudit nuk mund ta bënin kurrë. Të dy filmat, Roma dhe Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit janë prodhime të Netflix-it. Squid Game nga Koreja e Jugut është seria më e ndjekur në Netflix dhe e njëjta platformë pati sukses të madh me Call My Agent! të Francës aq sa ribërja e mëvonshme në gjuhën angleze, Ten Percent, u ndje si humbje kohe. Filmat dhe seritë televizive ndërkombëtare nuk kanë qenë kurrë më të qasshme apo më të pranuara.
Sigurisht, Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit nuk do të ekzistonte në formën aktuale pa ndikimin – dhe paratë – e Netflix-it. Filmi është përshtatur nga rrëfimi në vetën e parë, në kohën e tashme të përvojës çnjerëzore të një ushtari gjerman në llogore. Im Westen nichts Neues (fjalë për fjalë, “Asgjë e re në Perëndim”) u botua më 1929 me vlerësime të larta dhe shitje prej më shumë se 1.5 milion kopjeve në vetëm atë vit. Një film amerikan me regji nga Lewis Milestone u realizua vitin e ardhshëm dhe e fitoi çmimin Oscar për regjisorin dhe filmin më të mirë. Një film televiziv doli në vitin 1979. Por, asnjëherë deri tash nuk ishte një film gjerman për këtë roman. “Filmat si ky nuk janë të lirë dhe janë të vështirë për t’u financuar”, i tha Bergeri gazetarit Demetrios Matheou të Screen Daily. “Zakonisht duhet gjuha angleze, me një yll që ta garanton atë lloj buxheti”. Por, sot gjërat janë ndryshe. “Mendoj se tani njerëzit janë më të hapur për të pasur një gjuhë autentike, qoftë nga Indonezia, Gjermania apo Spanja. Ishte koha e duhur për këtë”.