Asgjë konkrete nga iniciativa e Presidentes për pajisje me shtetësi të qytetarëve të Luginës
Problemet me të cilat është përballur Kushtrim Kadriu për më shumë se 22 vjet po tentohen që të zgjidhen përmes një iniciative të Qeverisë së Kosovës, e cila më 29 dhjetor të vitit 2021, miratoi koncept-dokumentin për shtetësinë.
Por, që nga dhjetori i vitit 2021 ende nuk ka asgjë konkrete rreth pajisjes së shqiptarëve të Luginës me shtetësi të Kosovës.
Përndryshe, në këtë koncept-dokument është përfshirë komenti dhe propozimi i Zyrës së Presidentes, i cili do t’ua mundësojë shqiptarëve nga Medvegja, Presheva e Bujanoci të pajisen me shtetësi të Republikës së Kosovës.
Në koncept-dokumentin për shtetësinë në mënyrë specifike përmenden qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna në jug të Serbisë, që njihen me termin Lugina e Preshevës – dhe problemet me të cilat ata përballen në përpjekjet e tyre për t’u pajisur me shtetësi të Kosovës.
“Të gjithë qytetarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të cilët kanë qëndruar në Republikën e Kosovës së paku pesë vjet nga data 12.06.1999 deri me datë 31.12.2021, do të kenë të drejtën e fitimit të shtetësisë bazuar në rregullimin e kornizës ligjore me këtë koncept-dokument, ndërsa sa i përket kritereve procedurale do të rregullohet me akte nënligjore”, thuhet në koncept-dokumentin për shtetësinë i datës 29 dhjetor 2021.
Megjithatë, për të fituar shtetësi çdo qytetar i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit duhet t’i përmbushë një serë kriteresh, siç është dëshmia e qëndrimit në Kosovë prej së paku pesë vjetësh, posedimi i lejes së vlefshme të qëndrimit, pranimi i rendit kushtetues dhe juridik të Kosovës, posedimi i mjeteve të mjaftueshme financiare për të jetuar në Kosovë, përmbushja e detyrimeve financiare ndaj shtetit si dhe shumë kritere të tjera./Front Online/