Asgjë nuk do ta dobësojë vendosmërinë e Ukrainës për ta fituar luftën
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se asgjë nuk do ta dobësojë vendosmërinë e Ukrainës për të fituar në luftën kundër Rusisë, një ditë pasi Kongresi amerikan miratoi një projekt-ligj për financimin e urgjencës për qeverinë federale të SHBA-së, por pa përfshirë një ndihmë të re për Ukrainën.
Gjithashtu, ministri ukrainas i mbrojtjes Rustem Umerov theksoi se në një bisedë telefonike që ka pasur me homologun e tij amerikan Lloyd Austin, ka marrë garanci se Kievi do të marrë ndihmë të mëtejshme ushtarake nga Uashingtoni.
“Sekretari Austin më ka siguruar se mbështetja e SHBA për Ukrainën do të vazhdojë dhe se ushtarët ukrainas do të vazhdojnë të kenë mbështetje të fortë në fushën e betejës”, tha Umerov për X.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko theksoi gjithashtu se qeveria ukrainase po punon me partnerët e saj amerikanë për të siguruar që vendimi i ri për buxhetin amerikan, i cili do të merret në 45 ditët e ardhshme, do të përfshijë fonde të reja për të ndihmuar Ukrainën. Ai u përpoq të siguronte ukrainasit për mbështetjen e ardhshme të SHBA, duke vënë në dukje se fondet e miratuara më parë nuk do të prekeshin.
ShBA-ja e ka ndihmuar Kievin më shumë se kushdo tjetër, duke lëshuar rreth 110 miliardë dollarë ndihmë civile dhe ushtarake që nga shkurti i vitit 2022.
Zelensky, në një fjalim të filmuar me rastin e Ditës së Mbrojtësit, nuk iu referua drejtpërdrejt votimit të djeshëm në Kongres, por përsëriti vendosmërinë e tij për të luftuar deri në fitore.
Siç tha ai, Ukraina do të pushojë së rezistuari vetëm ditën kur të fitojë. “Ndërsa i afrohemi fitores, çdo ditë themi: “Do të luftojmë për aq kohë sa të duhet”.
Presidenti amerikan Joe Biden u zotua sot se Uashingtoni nuk do ta braktisë Ukrainën, duke theksuar se republikanët janë zotuar të miratojnë ndihmën shtesë për Ukrainën në një votim të veçantë. /Abc news