“Asgjë nuk është e siguruar përgjithmonë”
Ceremonia e 75-vjetorit të fundit të Luftës së Dytë Botërore e regjimit nazist u zhvillua e kufizuar për shkak të krizës së Koronës. Presidenti gjerman mbajti një fjalim alarmues, komenton Christoph Strack.
Kreu i shtetit në Gjermani mban fjalime të rëndësishme që konsiderohen si gjeste orientuese të mëdha e të vogla e relevante për shoqërinë. Ai ka pushtetin e fjalës e jo më shumë. E këtu bëhet fjalë për tema të mëdha: unitetin në botë, unitetin në një vend të diversitetit dhe mëdyshjeve, në një vend me njerëz kaq të mrekullueshëm, por edhe me disa… idiotë.
Kur Frank-Walter Steinmeier në shkurt të vitit 2017 u zgjodh president federal fjala „guxim” ishte lajtmotivi i fjalimit të tij të parë. Atëherë madje u ironizua lehtë oratori Steinmeier. Kush ka qenë njëherë ministër i Jashtëm (dhe 64 vjeçari ka qenë dy herë) përdor stilin e duruar diplomatik e faktik dhe tregon më pak empati. Por Steinmeier e ka gjetur stilin e tij që atëherë. Këtë vit ai është kthyer nga president paralajmërues në udhërrëfyes me fjalimet e tij të shkëlqyera e të vështira me rastin e 30-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, të përkujtimit të Holokaustit e 75-vjetorin e çlirimit të Aushvicit, të ditës përkujtimore të fundit të luftës, të sulmit në sinagogë në Halle apo sulmet raciste në Hanau.
Steinemier e ktheu historinë në aktualitet
Në shkurt 2017 ai bëri fjalë për guxim. Por që atëherë ai kujtoi rëndësinë e dallimit të „gënjeshtrës nga e vërteta”. Këtë pretendim duhet ta kemi vetë. Tre vjet kanë kaluar që atëherë. Parrulla urrejtjeje, teori kriminale konspirative, lajme të rreme e bëjnë ende të pasigurtë politikën dhe shoqërinë.
Në përkujtimin e 75-vjetorit të fundit të Luftës së Dytë Botërore, presidenti gjerman të premten në Berlin e ktheu historinë tek e tashmja: Asgjë nuk është e sigurt. Asgjë nuk „është e siguruar përgjithmonë”. E kjo, sipas Steinmeier, vlen edhe për lirinë e demokracinë, shtyllat themelore të këtij vendi. Këtij vendi që deri në vitin 1945 përjetoi brutalisht totalitarizmin, e celebroi atë me makabritet në shumë pjesë të Evropës.
Fjalimi i Steinmeierit është një apel për të kujtuar së bashku historitë familjare dhe historinë e përbashkët gjermane. Aty ka histori të kriminelëve dhe tragjedi viktimash. Ky apel vjen vonë, tani që krahas dëshmitarëve të fundit shpejt do ndërrojnë jetë edhe fëmijët e parë të lindur të tyre. Por në fundit të fundit për të nuk është kurrë vonë. Sepse ky vend ndahet më dysh, nëse nuk e kërkon e tregon kujdes për atë që na bashkon. Këtu bën pjesë edhe reflektimi për ditë festash e ditë përkujtimore. 3 tetori si ditë festë kombëtare feston bashkimin e lindjes dhe perëndimit gjerman më 1990-n. Por ai nuk baraspeshon as 9 nëntorin dhe as 8 majin.
Fjalë alarmuese
Të mos kemi iluzion: Fjalët e Steinmeierit në këtë ditë përkujtimore të fundit të luftës ishin alarmuese. Ai citoi një fjali të presidentit izraelit, nga fjalimi i tij me rastin e përkujtimit të Holokaustit në Bundestag në janar: “Nëse ndodh këtu, mund të ndodhë kudo”. Kjo tingëllon si fjalia “ka ndodhur, e si pasojë do të vazhdojë të ndodhë” e shkrimtarit e të mbijetuarit të Holokaustit, Primo Levi (1919-1987). E shkuara ka kaluar por ajo është ekzistente.
Joshja e një nacionalizmi të ri, admirimi për elementë autoritarë, urrejtja dhe nxitja e saj, përçmimi i demokracisë – Steinmeier i përmendi një pas një rreziqet e shoqërisë sot. Fuqia e këtyre fjalëve është të na shkundë të gjithë. Bëhet fjalë për ne, bëhet fjalë për këtu dhe të sotmen. DW