AShAK: Kosova duhet të ndërtojë kapacitet të reja me thëngjill
“Ndërtim i termocentralit të ri”. Ky ka qenë rekomandimi i një raporti të rrallë për energjinë, i publikuar dy vite më parë nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Për këtë publikim ka folur edhe vet kryetari i Akademisë, Mehmet Kraja.
Përfundimisht, sipas Krajës duhet të ndërtohen kapacitete të reja gjeneruese me thëngjill, pasi Kosova nuk ka resurse të mjaftueshme të energjisë se ripërtërishme.
“Përfundimi është ky, që Kosova nuk ka resurse të mjaftueshme të BRE, ujë, diell, ndërtimi mbi bazë thëngjillin është i domosdoshëm, ky është botim që ka nxjerr grupi i ekspertëve që e ka nxjerr grupi i akademisë”, tha Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës.
Kraja kritikon të gjitha ata që nuk merren me studimin e kësaj çështjeje. “Nuk e di se ku ka shkuar ky, ajo që më bën përshtypje është që krejt ky diskutim për energjinë, është se kjo që e ka ky raport nuk është thënë, as nuk ka qenë në medie, situata e tanishme nuk ka pikë prej qiellit, linja interkonesionit ka këtë funksion, në grup jemi dy shtete, megjithatë kthehem të ky raport”.
Pak ditë pas, deklaratave të Krajës, kryeministri Kurti, viziton Akademinë e Shkencave.
Për këtë takim Qeveria kujdeset ta lëshoj vetëm një komunikatë për medie.
Në Akademi, Kurti pritet nga kryetari Kraja, nënkryetarja Justina Pula dhe anëtarët e grupi punues të raportit për energjinë. Ai shoqërohet me ministrin e financave, Hekuran Murati dhe zv/ministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj.
Në takim, akademik Fejzullah Krasniqi, prezantoi raportin e Akademisë për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë, një dokument për analizën dhe sugjerimet për zhvillimet e ardhshme në sektorin e energjisë. U theksuan të gjeturat e raportit për opsionet për furnizim të qëndrueshëm e me çmim të arsyeshëm për konsumatorët.
Raporti i akademikeve që nxori raportin për furnizim të qëndrueshëm të Kosovës me energji elektrike rekomandoj:
I) Ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese me bazë fosile (linjit) dhe krahas kësaj ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga Burimet e ripërtërishme ose
II) Importimin e energjisë elektrike.
Duke e përkrahur opsionin e parë të furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike, akademikët propozojnë:
“Në vend të ndërtimit të TCKR me kapacitet 500 MW (bruto), respektivisht 450 MW (neto) energji elektrike, sugjerojmë që të ndërtohen dy blloqe secila me nga (300 deri 350) MW me etapa të ndërtimit pesëvjeçare. Etapa e parë (Blloku I) të përfundohet dhe të lëshohet në punë deri në vitin 2025, ndërsa në etapën e dytë (Blloku II) të përfundohet deri në vitin 2030. Të dy blloqet duhet të kenë parametra subkritikë (SC) me efiçiencë rreth 40%. Secila nga këto blloqe duhet të ketë mundësinë për koogjenerim (prodhim i përbashkët i energjisë elektrike dhe energjisë termike) me të paktën (6-10)% të kapacitetit nominal të prodhimit të energjisë elektrike (300 deri 350 MW)”.
Në dokument, akademikët arsyetuan mbështetjen për blloqet e reja nga thëngjilli.
“Varianti i propozuar me fuqi të instaluar 300 deri 350 MW do të ishte kompatibil me një bllok të TC Kosova B, ashtu që në rast të rënies nga sistemi i bllokut përkatës SEE i vendit nuk do të pësonte disbalance dhe çrregullime të mëdha në sistem krahasuar me një njësi të vetme prej 500 MË, nëse eventualisht kjo njësi për arsye të ndryshme teknike do të binte nga operimi. Zgjerimi i rrjetit të furnizimit me nxehtësi nga sistemi i koogjenerimit për qytetin e Prishtinës, duke rritur rrezen e furnizimit dhe shtimin e kapaciteteve të sistemit të koogjenerimit për përfshirjen e Obiliqit dhe Fushë-Kosovës në sistem të furnizimit”.
Sipas tyre, ndërtimi i kapaciteteve të reja do të mundësonte zëvendësimin e njësive të vjetra prodhuese të TC Kosova A dhe do të siguronte rritjen e sigurisë në furnizimin me energji dhe njëherësh do të siguronte rezervë të domosdoshme për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.
“Nga ana tjetër, mbështetja në resurset vendore kryesisht të linjitit dhe në një pjesë të burimeve të ripërtërishme të energjisë do ta zvogëlonte në masë të konsiderueshme varësinë e vendit nga importi i energjisë elektrike dhe nga paparashikueshmëria e çmimit të saj në tregun rajonal.
Futja në punë e blloqeve të reja dhe krahas kësaj rehabilitimi i dy blloqeve të TC Kosova B do të zëvendësojë prodhimin e energjisë elektrike që prodhohet nga tri blloqet e TC-së Kosovës A, si dhe do të zvogëlojë nevojën për importim të energjisë elektrike.
Kapacitetet e reja gjeneruese do të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe termike, që janë parakusht për investime të reja e që do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Grupi punues po ashtu sugjeron që Qeveria gjatë shqyrtimit të shtimit të kapaciteteve prodhuese të merr parasysh edhe opsionin e ndërtimit të kapaciteteve të reja me financim te mëvetësishëm me kredi të buta për një periudhë dhjetëvjeçare”.
Ministria e Ekonomisë është në hartim të një strategjie të re për energjinë, po deri tani nuk ka shpalosur të dhëna se cila do të jetë rruga përpara për zhvillimin e këtij sektori.
Kosova duhet patjetër të ndërtoj kapacitete nga thëngjilli
Njohësi i çështjeve ekonomike, Hamdi Malushaj, thotë se Kosova duhet patjetër të ndërtoj kapacitete nga thëngjilli.
“Politika duhet me u përshtat për ide”, tha ai. Malushaj thotë se paditura që ka mbizotëruar rreth kësaj çështjeje e ka sjellë këtë gjendje.
Shansi për të cilin flet Malushaj është rindërtimi i Kosovës A. Por ai thotë se fokusin Kosova nuk duhet ta lëshoj as nga zhvillimi i energjisë alternative.
Në pjesën e konkluzioneve për ndikimin në mjedis, grupi punues rekomandon zvogëlimin e sasisë se emisionit të SO2 dhe e gazrave NOx të hedhur prej tymtarëve aktual tw KEK-ut; të funksionalizohen analizatorët e gazrave ndotës në të gjitha blloqet dhe të bëhet monitorimi i vazhdueshëm dhe i saktë i emisionit të ndotësve të ajrit; të vazhdohet me përcjelljen e të dhënave dhe numrit të pacientëve që vijnë nga rajoni i Obiliqit dhe i Prishtinës, të cilët vuajnë prej sëmundjeve respiratore dhe kardiovaskulare në mënyrë që të vërehet menjëherë ndikimi negativ i efektit të ndotjes së ajrit në cilësinë e jetës dhe ai të evitohet.