AShAK-u kërkon transparencë për dialogun me Serbinë

09 qershor 2020 | 12:38

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK) ka përmbledhur në një botim të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun Kosovë-Serbi.

Përmes një komunikate për medie, AShAK ka treguar se tashmë ka nxjerrë botimin në ueb-in zyrtar, në të cilin mund të kenë qasja të gjithë të interesuarit.

“Me botimin dhe publikimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi, ASHAK synon të tërheqë vërejtjen se gabimet e deritashme në marrëveshje dhe dialog nuk mund të përsëriten në të ardhmen dhe se dialogu i pritshëm e ka të vetmen bazë në parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. ASHAK në të ardhmen do ta monitorojë nga afër procesin e dialogut dhe do t’i diskutojë në tribuna të hapura të gjitha marrëveshjet që do të arrihen me Serbinë, për ta instaluar një kulturë të llogaridhënies, e cila i ka munguar Kosovës dhe demokracisë së saj ende të brishtë dhe të lënduar nga veprime të papërgjegjshme të klasës sonë politike”, është thënë në komunikatë.

Ky institucion ka kërkuar transparencë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili pritet të rifilloj se shpejti. “ASHAK insiston se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i hapur dhe transparent, të mos zhvillohet larg syve të opinionit, sepse një njohje e plotë e opinionit me procesin e dialogut dhe me vendimet që merren me këtë rast, ndër të tjera, siguron vendimmarrje të përgjegjshme dhe adreson qartas përgjegjësinë individuale dhe institucionale të pjesëmarrësve të përfshirë në këtë proces, në përputhje me rëndësinë që ka ky dialog për të ardhmen e Republikës së Kosovës”, është thënë ndër të tjera në komunikatë.

(M.K / Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Avdullah Hoti sot nga mëngjesi ka pasur një agjendë…