ASHAK-u ngushëllon Mehmet Krajën për humbjen e të bijës
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) ka dërguar telegram ngushëllimi me rastin e vdekjes së bijës së akademik, Mehmet Krajës, Arzanës.
Në telegram thuhet se vdekja e papritur e Arzanës ka tronditur gjithë kolektivin e ASHAK-ut.
“Vdekja e papritur e bijës suaj ka tronditur thellë gjithë kolektivin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Është kjo dhembje e madhe për ju dhe familjen, për miqtë dhe dashamirët tuaj dhe për të gjithë ata që e kanë njohur dhe e kanë dashur Arzana Krajën, regjisore e skenariste filmi, artiste e shquar dhe e dëshmuar me vepra të vlerësuara lartë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
Ky telegram ngushëllimi është dërguar nga nënkryetari i ASHAK-ut, akademik Jusuf Bajraktari.
“Duke qenë me ju dhe pranë jush në këto çaste tejet të hidhura, duke bashkëndjerë për humbjen e madhe që ju ka gjetur, ju lutem, në emër të të gjithë anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të stafit drejtues e të administratës, si dhe në emrin tim personal, pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta”, përfundon telegrami ngushëllues.
/Epoka e re/