AShAK-u publikon analizën ‘Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor’
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK) që drejtohet nga akademik Mehmet Kraja, ka publikuar analizën titull: “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”.
Qëllimi i kësaj analize është krijimi i një pasqyre të përgjithshme të rrethanave të krijuara në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, duke analizuar shkaqet, rrënjët e konfliktit dhe prapavijën e tij në kontekst të politikave rajonale.
Me këtë rast, në këtë analizë është tërhequr vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare se perspektivat e errëta që ofron Serbia për rajonin do të njohin përshkallëzimin në ditët, muajt dhe vitet e ardhshme.
“Kjo ndodh për shkak se shoqëria serbe, shteti de institucionet e tij, edhe përkundër mbështetjes së vazhdueshme të Perëndimit, nuk janë demokratizuar dhe vazhdojnë të mbetën pre e mendësisë nacionaliste serbomëdha. Të gjitha idetë e mëdha të trendëve të reja të globalizimit, të integrimeve evropiane dhe euroatlantike, sapo të përballen me nacionalizimin serb, rrënohen përtokë si kështjella prej rëre”, është thënë në këtë analizë të AShAK-ut.
Sipas kësaj analize, politikat destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor kanë njohur kohëve të fundit në përmasë të re: janë bërë me agresive, më të vrazhda, duke shfrytëzuar me gjeturi dhe në mënyrë të vazhdueshme situatat e paqarta dhe ndonjëherë kontradiktore në Bashkimin Evropian.
Analizën e plotë të AShAK-ut mund ta lexoni:KËTU