AShAK-ut i kërkohet të tregojë se a ka pasur kritere për autorët e Fjalorit Enciklopedik
Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Kulturë në takimin e sotëm me përfaqësuesit e Akademisë se Shkencave dhe Arteve të Kosovës është diskutuar për Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, për të cilin ka pasur kritika të shumta.
Anëtarja e këtij komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar të dijë se a ka pasur kritere për anëtarët që kanë punuar në Fjalorin Enciklopedik dhe për përmbajtjen e tij.
Ky takim që sipas anëtarëve të Komisionit është thirrur në bazë të hulumtimit të organizatës “Integra”, e cila ka publikuar shumë kritika ndaj veprimtarisë së AShAK-ut. Ky hulumtim është kundërshtuar sekretarja për shkencë në AShAK, Myzafere Limani, e cila e ka cilësuar organizatën “Interga” si jo shumë kredibile.
“Ne e kemi hulumtuar se kush është ajo organizatë dhe e kemi parë që ka të paqartë se nga kush financohet. Neve na bëjnë vërejtje institucionet simotra ndërkombëtare dhe ato i marrim për bazë”, ka thënë Limani.
Fjalori Enciklopedik është botuar për herë të parë në Kosovë i hartuar nga 506 autorë, përfshirë profesorë universiteti, shkrimtarë, publicistë, artistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme të shkencës dhe të dijes.
Kundër këtij fjalori ka dalë edhe akademik Rexhep Qosja, i cili e quajti antikombëtar dhe analfabetizëm shkencor.