Asimetritë midis dialogut të brendshëm dhe dialogut me fqinjët
Shkruan: Lisen Bashkurti
Një proces dialogu ka përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor ndërmjet tyre. Mirëpo, në të njëjtën kohë ky rajon po përfshihet në një valë protestash masive. Shkaqet e protestave, me ndonjë përjashtim të rrallë janë pak a shumë të njëjta. Krizat ekonomike dhe pasojat sociale, krizat politike nga qeverisjet e dobëta dhe prirjet autoritariste, korrupsioni dhe krimi i organizuar në nivele të larta, mungesat e shtetit ligjor dhe të sistemit të drejtësisë, dobësitë në funksionimin e demokracisë, shkeljet e të drejtave të njeriut, injorimi i opozitave politike dhe kapja e medieve. Këto procese të trazuara të brendshme po kërcënojnë procesin e dialogut rajonal.
Ballkani Perëndimorë vazhdon të jetë në tranzicion. Tranzicionin, siç merret me mënd e zgjatë mos adresimi në kohë i problemeve ekonomike e sociale që kanë sjellë akumulimin e tyre, rritja e pakënaqësisë së masave, rënia e besimit tek qeverisjet dhe fryma përjashtuese e aktorëve politikë dhe jo-shtetëror në politikë-bërje dhe vendim-marrje.
Mbi të gjitha në vendet e Ballkanit Perëndimor vërehet një polarizim i skajshëm politik mazhorancë-opozitë, sikundër edhe midis aktorëve shtetëror dhe jo-shtetëror. Mungon gjithëpërfshirja si një prej vlerave më të rëndësishme të demokracisë. Pjesëmarrja në politikë-bërje, draftim-ligjesh, vendim-marrje është e kufizuar në fare pak faktorë, të cilët janë të lidhur dhe shpesh të varur nga grupe të caktuara interesi, me fije korruptive dhe kriminale. Sjellja politike në Ballkanin Perëndimorë vazhdon të jetë me dy standarde: ndërkohë që flitet për dialog ndërkombëtar, injorohet tërësisht dialogu i brendshëm. Kjo asimetri ka shumë pasoja të rrezikshme.
1. Mungesa e dialogut të brendshëm rrënon themelet e demokracisë
Në Ballkanin Perëndimor mungon dialogu institucional, politik dhe shoqëror. Mungesa e dialogut është e pranishme thuajse në të gjithë demokracitë dhe shoqëritë Ballkanike. Kudo vërehen mazhoranca që përdorin, shpërdorin dhe abuzojnë fuqinë e kartonit në legjislative, për rrjedhojë edhe në politikë-bërje, vendim-marrje dhe projekte dhe financime publike.
Opozitat ndjehen përgjithësisht të margjinalizuara. Participimi i tyre në jetën politike e institucionale është i paralizuar ose përjashtuar. Opozitat trajtohen nga mazhorancat si djalli i shoqërisë, si pengesa serioze përparimi, si faktorë të dështuar nga humbjet e së kaluarës dhe si armiq kërcënues të së ardhmes. Për çdo problem dhe sfidë opozitat fajësohen nga mazhorancat si shkaktaret kryesore. Për çdo arritje dhe sukses mazhorancat mburren dhe propagandohen si forcat e vetme progresive.
Kjo sjellje politike mazhorancash ka provokuar reagime në jo pak raste të skajshme edhe të opozitave. Duke u ndier të shpërfillura, të përjashtuara nga proceset, madje edhe të damkosura dhe baltosura pafundësisht, opozitat po përdorin forma politike radikale, siç janë bojkotet parlamentare, protestat e rrugëve dhe pakënaqësitë e shtresave te ndryshme shoqërore.
Marrëdhëniet mazhorancë-opozitë po sjellin polarizim të skajshëm politik në Ballkanin Perëndimor. Thellimi i këtij hendeku mazhorancë-opozitë po krijon përçarje politike kombëtare, mungesë të kohezionit social dhe përplasje në koabitacionin midis institucioneve shtetërore, qeveri-qendrore dhe qeveri-vendore. Në këtë situatë konfrontuese shoqëria civile, grupet e interesit dhe media ose po bëhen shtojca të mazhorancave ose po zhyten në kaos me paqartësi në mendimet, qëndrimet dhe veprimet e tyre.
Mungesa e kulturës dhe vullnetit për dialog të brendshëm ka dobësuar së tepërmi komunikimet midis aktorëve shtetëror, politik dhe shoqëror në Ballkanin Perëndimorë. Për rrjedhojë nuk ka pjesëmarrje demokratike. Strategjitë, politikat publike, platformat qeverisëse, ligjet, buxhetet hartohen dhe miratohen në mungesë të plotë dialogu. Për rrjedhojë, strategjitë, politikat publike, platformat qeverisëse, ligjet, buxhetet dhe projektet e ndryshme ndeshin në kundërshtime të mëdha, çka pamundëson ose vonon zbatimin e tyre, ose sjellin zbatimin e pjesshëm të tyre.
Polarizimi politik, mungesa e kohezionit social dhe e koabitacionit institucional ka bërë që shumë aktorë politik, social dhe institucional në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor t’i kundërvihen haptazi zbatimit të ligjeve, platformave qeverisëse, projekteve publike e publike-private të miratuara njëanshmërisht nga mazhorancat. Mungesa e dialogut konstruktiv dhe permanent ndërmjet gjithë aktorëve shtetëror, politik dhe shoqëror në Ballkanin Perëndimor po dëmton seriozisht zbatimin e ligjeve, vendimeve, politikave dhe projekteve të ndryshme. Fryma përjashtuese në politikë-bërje dhe vendim-marrje po provokon frymë kundërshtuese dhe moszbatuese të ligjeve. Baza e ngushtë në politikë-bërje dhe vendim-marrje po kundërshtohet nga baza e gjerë opozitare, shoqërore dhe grupet e interesit. Ligjet nuk implementohen. Shteti ligjor nuk po funksionon. Shteti i së drejtës është i cunguar dhe i kërcënuar.
2. Mungesa e dialogut të brendshëm rrezikon dialogun fqinjësor
Shtetet e Ballkanit Perëndimorë ballafaqohen me problematika të shumta ndërmjet tyre. Në themel të këtyre problematikave janë marrëdhëniet fqinjësore. Dhe në agjendat problematike fqinjësore qëndrojnë probleme kufijsh dhe pretendime territoriale, probleme pakicash dhe tendenca separatiste, probleme historike dhe politizime të tyre, probleme sigurie për shkaqe kontrabandash, krimi, trafiqesh të paligjshme, pastrime parash dhe rreziqesh terroriste, probleme kulturore e konfesioni fetar dhe fobitë ndaj tyre.
Gjithë kjo gamë e gjerë problematikash fqinjësore është thirrje serioze dhe emergjente për dialog midis shteteve të Ballkanit Perëndimor. Formalisht ka nisur dhe vazhdon një dialog ndërshtetëror. Por, ky dialog ndërshtetëror ndërkombëtar po ngrihet mbi mungesën e dialogut të brendshëm edhe për këto çështje.
Dialogu Kosovë-Serbi po ngrihet mbi përjashtimin e opozitave si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd. Opozitat në Prishtinë dhe në Beograd si dhe grupe të caktuara politike, shoqërore dhe interesi po kundërshtojnë dialogun me arsyetime të ndryshme. Ndërkohë, mazhorancat në vend që të bëjnë gjithë përpjekjet për përfshirjen në një bazë sa më të gjerë të aktorëve politik e shoqëror në proces, po i anashkalojnë dhe madje po i fajësojnë ato për dështimet e dialogut.
Dialogu Greqi-Maqedoni arriti të formalizohet me Marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, duke zgjidhur një kontest shumëvjeçar midis dy vendeve. Mirëpo arritja pozitive e këtij formalizimi po ndeshet në rezistence kundërshtuese të opozitave dhe të faktorëve të tjerë në të dy vendet. Në Maqedoni opozita dhe Presidenti i vendit po bëjnë çdo përpjekje për të penguar ndryshimet kushtetuese që do funksionalizonin Marrëveshjen e Prespës. Dialogu politik mazhorancë-opozitë sikundër edhe parlament-president po sforcon së tepërmi implementimin e Marrëveshjes së Prespës në Maqedoni. Ndërkohë, edhe në Greqi opozita greke dhe faktorë të tjerë grekë po ngulin këmbë që Marrëveshja e Prespës të anulohet. Mungesa e dialogut të brendshëm si në Maqedoni ashtu edhe në Greqi duket se po pengon zbatimin e marrëveshjes.
Dialogu Shqipëri-Greqi për një paketë marrëveshjesh midis dy vendeve, mëgjithë ulje-ngritjet e paqartësitë e tij u duk se po ecte në një farë mënyre. Në këtë paketë përshihen delimitimi i kufirit detar, përcaktimi i kufirit tokësor, zgjidhje të disa problematikave historike siç është heqja e ligjit të luftës me Shqipërinë nga Greqia, problemi i varrezave të ushtarëve grekë të vrarë në Shqipëri gjatë betejave italo-greke të Luftës së Dytë Botërore si dhe një sërë problemesh të tjera aktuale.
Ky dialog, ende i paqartë dhe jo mjaftueshëm transparent po ndeshet në kundërshtime serioze të brendshme si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri. Opozita dhe faktorë të tjerë grekë po kundërshtojnë heqjen e ligjit të luftës me Shqipërinë, kanë fshirë nga agjenda diplomatike çështjen Çame, po përplasen në qasjet ndaj delimitimit të kufirit detar, po shpalosin pretendime anakronike lidhur me pakicat dhe pronat e tyre në jug të Shqipërisë dhe po demonstrojnë dukuri vorio-epirote dhe tendenca shqiptaro-fobe. Në Shqipëri, opozita dhe faktorë të tjerë po ashpërsojnë tonet lidhur me mënyrën sesi po bëhen bisedimet, për versionet e përfolura të kufirit detar, për çështjen Çame dhe ligjin e luftës, për varrezat e ushtarëve grekë dhe aspekte të pakicave greke në jug të Shqipërisë. Pra ecuria e dialogut diplomatik ndërshtetëror po ndesh në kundërshtime serioze nga mungesa e dialogut të brendshëm politik dhe institucional në të dy vendet.
3. Dy standardet ndaj dialogut, pjesë e farsës Ballkanike
Në Ballkanin Perëndimorë demokracia po aplikohet me shumë standarde. Edhe në qasjen ndaj dialogut vërehen dy standarde. Ka mungesë të thellë dhe serioze të dialogut të brendshëm, ka frymë përjashtuese, mungesë kompromisesh dhe konsensusi, mungesë koabitacioni ndërinstitucional dhe uniteti edhe për çështje me rëndësi publike dhe kombëtare.
Nga ana tjetër, vendet e Ballkanit Perëndimorë hiqen sikur performojnë në frymë demokratike e Perëndimore lidhur me dialogun me fqinjët. Pak për arsye të presionit të BE, NATO dhe ShBA dhe pak për shkak të nevojave pragmatike për mbështetje ekonomike kombëtare dhe investime rajonale, pothuajse të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimorë shprehen në favor të dialogut ndër-fqinjësor, pra për zgjidhje politiko-diplomatike të të gjithë problemeve ndërmjet tyre.
Është paradoksi Ballkanik i radhës: mungesë dialogu të brendshëm, nxitje të dialogut fqinjësor. Padyshim dy standarde përjashtuese. Dy standarde hipokrite. Dy standarde anti-demokratike. Dy standarde pragmatiste vulgare. Dy standarde mohuese të njëra-tjetrës. Në fund të fundit dy standarde bllokuese, që pengojnë si zhvillimet demokratike të brendshme të secilit vend ashtu edhe zhvillimet rajonale të të gjithëve së bashku.
Mirëpo kësaj politike me dy standarde tanimë po i del boja. Demokracia, herët a vonë e zhvesh hipokrizinë. Nevoja për dialog po ngrihet mbi konjukturat ditore si një vlerë afatgjate. Dialogu është tipar i demokracisë, vlerë e shoqërive demokratike, karakteristikë e politikave publike, të shtrira në mënyrë koherente brenda dhe jashtë vendi. Pa paqe demokratike të brendshme nuk mund të ketë paqe demokratike fqinjësore. Për rrjedhojë pa dialog demokratik, konstruktiv dhe permanent të brendshëm nuk ka dhe nuk mund të ketë dialog demokratik, konstruktiv dhe të suksesshëm fqinjësor.