ASK, BQK dhe Ministria e Financave nënshkruajnë marrëveshje në fushën e statistikave
Të mërkurën është nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi ndërmjet tri institucioneve të vend, Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Ministrisë së Financave dhe Bankës Qendrore të Kosovës.
Në njoftimin e ASK-së thuhet se qëllimi i kësaj Marrëveshjeje Mirëkuptimi (MeM) ndërmjet tri institucioneve është bashkëpunimi institucional dhe përgjegjësitë e tri institucioneve nënshkruese në fushën e statistikave makroekonomike dhe financiare.
“Kjo Marrëveshje është e rregulluar sipas ligjeve kombëtare, duke zbatuar standardet e parashikuara në aktet ligjore të BE-së, si dhe në Programet Zyrtare Vjetore për Sistemin Kombëtar Statistikor”, thuhet në njoftim.
Avni Kastrati nga ASK theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi ndërinstitucional për t’i përmbushur udhëzimet statistikore ndërkombëtare për cilësinë e të dhënave, siç përshkruhen në Marrëveshjen e Mirëkuptimit të tri institucioneve ASK-MFPT-BQK.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili tha se kjo marrëveshje formalisht e shënon një koordinim ndërinstitucional të të tri institucioneve prodhuese të statistikave për avancimin e sistemit statistikor të Kosovës nga Sistemi i Përgjithshëm i Shpërndarjes së të Dhënave (GDDS) në Standardin e Veçantë të Shpërndarjes së të Dhënave (SDDS), si një standard më i avancuar, i cili promovon përmirësimin e kualitetit, transparencës dhe disponueshmërisë së informatave statistikore.
Ndërkaq, ministri Murati tha se kjo Marrëveshjeje është edhe një hap drejt standardizimit dhe krahasimit ndërmjet platformave, si dhe ndërlidhja e këtyre platformave, duke evituar kështu edhe çështjen e privatësisë së të dhënave.
Në njoftim tutje thuhet se nënshkrimi i kësaj Marrëveshjeje përbën një hap të rëndësishëm në përmbushjen e zotimeve të vendit ndaj rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për avancimin e mëtejshëm të përpilimit dhe raportimit statistikor, të diskutuara dhe të dakorduara në takimet pranverore të FMN-së në Washingron D.C.