ASK: Çmimet e konsumit ditor janë rritur për 1.2 për qind brenda një viti
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin korrik të vitit 2018.
Në komunikatën për media të ASK-së thuhet se inflacioni mujor i matur në korrik 2018 nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.2%, ndërsa inflacioni vjetor ishte 1.2%.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.2% në muajin korrik 2018, krahasuar me muajin qershor 2018. Kjo, kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: mish (1.1%); qumësht, djath dhe vezë (1.4%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (0.8%)-(ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës); shërbime për transport (7.2%)-(ngritje e çmimeve të biletave të udhëtarëve me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.5 për qind në IHÇK”, thuhet në njoftimin për media.
Aty po ashtu bëhet e ditur se ngritja është neutralizuar pak vetëm nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-i, si çmimet e pemëve (-2.5%); perime (-5.1%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.3 %) në IHÇK. “Ndërkaq, Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 1.2% në muajin korrik 2018, krahasuar me muajin korrik 2017. Kjo, kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (1.4%); mish (2.3%); qumësht, djath dhe vezë (4.7%); perime (12.2%); duhan (3.9%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (9.8%)-(ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës); shërbimet hoteliere (2.3%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.9 për qind në IHÇK”, thuhet në rezultatet e ASK-së.
Ngritja po ashtu, sipas ASK-së, u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: sheqer dhe ëmbëlsira (-8.1%); veshje (-1.4%); energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (-7.0%); pajisje shtëpiake (-2.5%); pajisje të telefonisë mobile (-8.4%); pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave (-4.6%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.7) për qind në IHÇK.