ASK-ja dhe Universiteti i Prishtinës arrijnë marrëveshje për bashkëpunim
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku parashihet bashkëpunim i ndërsjellë ndërmjet dy institucioneve të Republikës së Kosovës.
Nënshkrimi i marrëveshjes së mirëkuptimit është bërë nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema dhe kryeshefit ekzekutiv i ASK-së, Isa Krasniqi.
Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Krasniqi ka theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi ndërmjet ASK-së, si institucion bartës i prodhimit të statistikave zyrtare dhe Universitetit të Prishtinës, si institucion akademik për hulumtime shkencore, analiza e projeksione të ndryshme.
“Kjo marrëveshje e mirëkuptimit ka për qëllim institucionalizimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha fakulteteve të Universitetit të Prishtinës dhe ASK-së, që do të rezultonte në zhvillimin e politikave, zbatimin e projekteve dhe aktiviteteve me interes të përbashkët. Po ashtu, do t’i shërbejë personelit akademik në mundësinë e qasjes në të dhëna të ndryshme statistikore për t’i realizuar aktivitetet e tyre hulumtuese dhe shkencore”, ka thënë Krasniqi.
Kurse, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, ka folur për vlerën e informacionit në të gjitha fushat.
Ai ka thënë se pikërisht është statistika ajo që i mbledh të gjitha ato informacione.
“Ajo që na intereson neve është se jemi të interesuar të japim kontributin tonë në ndryshime pozitive, jo vetëm në Universitetin e Prishtinës, por edhe në komunitet. Planin strategjik e kemi ndërtuar në atë mënyrë që Universiteti i Prishtinës të jetë i orientuar nga një universitet kryesisht teorik, në një universitet të orientuar kah biznesi, puna dhe industria”, ka thënë Dema.
Në këtë aspekt, ai ka përmendur kontributin e madh të dekanit të Fakultetit Ekonomik, But Dedaj, i cili bashkë me kryeshefin ekzekutiv të ASK-së ishte edhe iniciatori kryesor për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje të mirëkuptimit.
/Epoka e re/