ASK-ja kërkon shtyrje të procesit të regjistrimit të popullsisë deri në prill të vitit 2024

20 tetor 2023 | 17:17

Zëvendëskryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Ilir Berisha, ka thënë se ka dërguar kërkesë në qeveri që procesi i regjistrimit të popullsisë të shtyhet deri në prill të viti 2024 për shkak të sfidave që është përballur ky institucion.

Këtë kërkesë, Berisha e ka bërë me dije gjatë raportimit të premten në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Berisha ka thënë se sfidat e këtij procesi janë mungesa e tabletave, trajnimi i stafit si dhe procesi i regjistrimit në komunat veriore.

Ai ka thënë se si ASK-ja janë duke paraparë që regjistrimin përveç me metodën e tabletave, ta bëjnë edhe me dy metoda të reja duke përfshirë këtu edhe regjistrimin online përmes e-Kosovës.

“Jemi vonë me testim e tablateve, kjo pasi kompania fituese ka dështuar që t’i sjellë tabletat më kohë, për këtë kemi shkëputur kontratën me atë kompani. Kemi nënshkruar marrëveshje me një kompani të re e cila brenda 14 dite do t’i sjell tabletat. Tabletat duhet të jenë se paku një muaj përpara datës së fillimit të regjistrimit, ne ende nuk i kemi. Trajnimi do të bëhet me tableta, ne po tentojmë që regjistrimi të mbaroj në këtë vit. Sfidat janë këto, mungesa e tablateve, stafi në teren dhe një çështje tjetër që ne e kemi cekur vështirësitë në katër komunat veriore për shkak të ngjarjeve të 24 shtatorit, pasi sipas rekomandimeve në vendet ku situatat nuk janë të qetë nuk preferohet të bëhet regjistrimi”, ka thënë ai.

Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka pyetur përfaqësuesin e ASK-së se si do të bëhet regjistrimi për anëtarët e familjeve që janë në jashtë vendit dhe si do të regjistrohen shtëpitë që janë mbyllur.

Ai po ashtu ka pyetur Berishën nëse ky proces do të filloj në nëntor, pavarësisht sfidave që i përmendi, raporton “EO”.

Berisha ka thënë se për ta është paraparë plotësimi i një formulari të veçantë po ashtu edhe mundësi që ata të regjistrohen edhe online.

Por, sipas tij për diasporën të dhënat nuk do të jenë të sakta 100 për qind.

Kritika për vonesa, ka pasur edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku. Ai ka thënë se këto shtyrje po tregojnë se regjistrimi i popullsisë nuk do të bëhet sipas standardeve evropiane.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fundjava do të sjellë ndeshje interesante në xhiron e pestë…