ASK-ja: Konsumimi i energjisë rritet për 6.4 për qind
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Bilancin i Energjisë” për TM1 2020. Në këtë publikim janë prezantuar të dhënat mbi prodhimin e thëngjillit, të dhënat për prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve të tjerë.
Gjatë tremujorit të parë të vitit 2020 (TM1 2020) vlera e gjithëmbarshme e prodhimit të thëngjillit ishte rreth 2.3 milionë tonë. Kurse, sasia bruto e energjisë elektrike, e prodhuar në termocentrale ishte 1 817.1 GWh, dhe në hidrocentrale ishte rreth 68.1 GWh.
Sa i përket vlerave të energjisë së importuar, respektivisht të eksportuar, gjatë tremujorit të parë të vitit 2020, Kosova ka importuar 931.4 GWh energji elektrike, derisa gjatë të njëjtës periudhë ka eksportuar 763.3 GWh energji elektrike.
Në tremujorin e parë 2020, sasia e energjisë elektrike për konsum ishte 1 330.7 GWh energji elektrike. Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2019), sasia e energjisë elektrike e konsumuar është rritur për 6.4 për qind.
Për më shumë informata, lidhur Bilancin e Energjisë në Kosovë për TM1 2020, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/ekonomi/energjia
(L.G/ Epoka e re)