ASK-ja: Niveli i papunësisë, 31.4 për qind
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të martën rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e katërt (TM4) 2018.
Sipas ASK-së, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune.
Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, ku përfshihen moshat 15-64 vjeçare, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 42 për qind.
Anketa ka pasur shtrirje në 600 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3.488 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave 2011. ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime sipas periudhës referuese.
Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë, statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës. “Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore për TM4 2018 është 28.8 për qind, ndërsa punësimi më i lartë është te meshkujt 45.2 për qind, derisa punësimi te femrat është 12.7 për qind. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 52.9 për qind, ndërsa meshkujt në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 44.1 për qind. Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë tregtia me 17 për qind, ndërtimtaria me 12.1 për qind, prodhimi me 11.1 për qind, arsimi me 10.6 për qind, ndërsa sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim”, thuhet në raportin e ASK-së.
Sipas ASK-së, sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 33.8 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 66.2 për qind kanë kontratë të përkohshme.
Sipas ASK-së, shkalla e papunësisë është 31.4 për qind, ku më e theksuar është te femrat me 38 për qind, krahasuar me meshkujt 29.2 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 57.3 për qind, derisa fuqia joaktive është mjaft e lartë me 58.0 për qind, me fokus të veçantë te femrat me 79.5 për qind, krahasuar me meshkujt, 36.1 për qind.
Për realizimin e AFP-së, TM4 2018, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostatit.
/Epoka e re/