ASK-ja: Nuk ka rënie të madhe të numrit të popullsisë në Kosovë
Ylli Shala, menaxher i Projektit në Agjencinë e Statistikave (ASK), ka theksuar se rënia e natalitetit dhe migrimi janë dy faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rënien e numrit të popullsisë, por që sipas tij në Kosovë nuk ka shumë rënie të numrit të banorëve. Sipas tij, në ditën e fundit pritet të punohet me orar të zgjatur për të pritur fluksin e qytetarëve, të cilët ende nuk janë regjistruar.
Shala ka theksuar për “RTK”-në se ky proces ka qenë një nga projektet më të mëdha në vend dhe ka kërkuar angazhim të madh nga të gjithë palët pjesëmarrëse.
“Qëllimi i regjistrimit të popullsisë nuk është vetëm numri i popullsisë. Brenda këtij regjistrimi marrim shumë informacione të tjera, të cilat kanë me qenë shumë të leverdishme për komunat, qeverinë, Kosovën dhe për ASK-në, për shkak që kemi shumë indikator që nuk kemi mundur me i dërguar në EUROSTAT pa u kryer procesi i regjistrimit”, ka deklaruar Shala.