ASK-ja: Papunësia më e theksuar është te femrat me 32.7 për qind

17 shtator 2019 | 14:25

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për tremujorin e dytë (TM2) 2019. Anketa ka pasur shtrirje në 449 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3 917 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave të vitit 2011.

“Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë, statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës. Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune.Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Sipas ASK-së, në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 39.9 për qind. “Sipas rezultateve të AFP-së, në TM2-2019, shkalla e papunësisë është 25.3 për qind. Papunësia më e theksuar është te femrat me 32.7 për qind, krahasuar me meshkujt, 22.8 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 49.1 për qind. Sipas rezultateve të AFP-së, në TM2 2019, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 60.1 për qind, me fokus të veçantë te femrat me 79.6 për qind, krahasuar me meshkujt, 40.6 për qind. Për realizimin e AFP-së, TM2 2019, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostat-it”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Sipas këtij njoftimi, shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e dytë (TM2) 2019 është 29.8 për qind.

“Punësimi më i lartë është te meshkujt 45.9 për qind, ndërsa punësimi te femrat është 13.7 për qind. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 51.6 për qind të tyre. Ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 48.9 për qind. Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 17.9 për qind; ndërtimtaria me 13.4 për qind, prodhimi me 12.4 për qind, si dhe arsimi me 9.7 për qind. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim”, është thënë në këtë njoftim të ASK-së.

Ndërkaq sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 38.4 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 61.6 për qind kanë kontratë të përkohshme.

/Epoka e re/

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora…