ASK-ja thotë se ka kërkesë për shtyrjen e procesit të regjistrimit të popullsisë
Komuna e Dragashit javën e kaluar ka bërë kërkesë që procesi i regjistrimit të popullsisë – që përfundon më 17 maj – të shtyhet, bëri të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës, duke shtuar se kërkesa të ngjashme pritet të bëhen më 13 maj nga komuna të tjera.
Gjatë konferencës javore, ushtruesi i detyrës të kryeshefit ekzekutiv të këtij institucioni, Avni Kastrati, tha se ASK-ja po diskuton me këtë komunë, në mënyrë që ta mbështesë me staf dhe që procesi të mos shtyhet.
“Dragashi ka sfidë me komunitete ka disa zona që kanë refuzuar me fillim të regjistrohen dhe besoj që edhe në Dragash do të kryhet me kohë”, tha Kastrati.
ASK-ja tha se sipas të dhënave të fundit, deri më tani në Kosovë janë regjistruar mbi 1 milion e 420 mijë banorë.
“Në aspektin statistikor nuk paraqet ndonjë sfidë shtyrja për disa ditë. Ne do t’i shqyrtojmë ato kërkesa dhe do të shikojmë nëse ka ndonjë bazë, arsye të mirë që të shtyhet”, tha Kastrati.
Ai shtoi se procesi po shkon mirë dhe pritjet janë që regjistrimi të përfundojë gjatë kësaj jave në të gjitha komunat e Kosovës.
Kastrati bëri të ditur se Prishtina dhe Prizreni nga sot do të hapin edhe zyra në komuna, ku qytetarët mund të shkojnë të regjistrohen.
Në këtë proces, përmes një platforme online po regjistrohen edhe qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Kastrati nga ASK-ja tha se deri më tani janë regjistruar mbi 400.000 pjesëtarë të diasporës.
Ndërkaq, sa i përket pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë, ASK tha se të gjitha po marrin pjesë në regjistrim, por në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, ende ka hezitim.
Më 5 prill, kur edhe filloi regjistrimi – Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – kishte thënë se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.
Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, nuk ishte mbajtur në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të banuara me shumicë serbe, ndërsa serbët nga komunat e tjera në jug, me ftesë të Beogradit, kryesisht e kishin bojkotuar procesin.
Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.
Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.