ASK: Kosova gjatë muajit gusht importoi dhjetë herë më shumë sesa eksportoi
Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë për muajin gusht tregojnë për një deficit tregtar më të larët për 1.2 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, kështu thuhet në raportin “Statistikat e Tregtisë së Jashtme, gusht 2019”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Sipas ASK-së, eksporti mbulon importin me 10.2 për qind. “Eksporti i mallrave në muajin gusht 2019 kishte vlerën 31.9 milionë euro, ndërsa importi 311.8 milionë euro, që është një rritje prej 4.7 për qind për eksport dhe një rritje prej 1.6 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018. Sipas të dhënave për eksport, 34.1 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 12.7 për qind të eksporteve e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12.5 për qind të eksporteve e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 10.9 për qind të eksporteve e përbëjnë prodhimet bimore, 7.9 për qind të eksporteve e përbëjnë prodhimet minerale, 5.8 për qind të eksporteve e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar dhe 3.5 për qind të eksporteve e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj. Ndërsa, sipas të dhënave për import, 16.9 për qind të importeve e përbëjnë prodhimet minerale, 14.1 për qind të importeve e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 10.3 për qind të importeve e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 9.2 për qind të importeve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 8.6 për qind të importeve e përbëjnë mjetet e transportit, 6.4 për qind të importeve e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre dhe 6.2 për qind të importeve e përbëjnë prodhimet e industrisë kimike”, thuhet në raport.
Agjencia tregon se eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian arritën në 9.1 milionë euro ose rreth 28.6 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 13.3 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në Bashkim Evropian janë Gjermania me 7.7 për qind, Britani e Madhe me 3.6 për qind dhe Holanda me 3.4 për qind. Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 160 milionë euro ose 51.3 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 24.8 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania me 12 për qind, Greqia me 7 për qind, Italia me 6.6 për qind, Bullgaria me 4.1 për qind, Polonia me 3.6 për qind dhe Sllovenia me 3.6 për qind.
“Në muajin gusht 2019, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-së arritën në 13.8 milionë euro ose 43.3 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 10.4 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së janë me Shqipërinë me 18.5 për qind, Maqedonia e Veriut me 9.9 për qind, Serbia me 8.5 për qind dhe Mali i Zi me 4.5 për qind. Ndërkaq, importet nga vendet e CEFTA-së, në muajin gusht 2019, arritën në 47.2 milionë euro ose 15.1 për qind të importeve të përgjithshme, me një rënie prej me 47.9 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin me Shqipërinë me 7.1 për qind, Maqedonia e Veriu me 7.1 për qind dhe Serbia 0.1 për qind”, thuhet në raport.
Për sa i përket eksporteve të Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 8.9 milionë euro ose 28.1 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden India me 15.4 për qind dhe Zvicra me 8.2 për qind. Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 104.5 milionë euro ose 33.5 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia me 10.5 për qind dhe Kina me 10.4 për qind.