ASK: Në territorin e Kosovës janë gjithsej 333 kilometra binarë hekurudhorë për transport
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit” për tremujorin e tretë (TM3) 2020, me të dhëna mbi transportin ajror, hekurudhor, rrugor dhe telekomunikimin.
Në territorin e Kosovës janë gjithsej 333 km binarë hekurudhorë për transport.
“Në tremujorin e tretë (TM3) të vitit 2020, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi ishte rreth 15 mijë, ku krahasuar me TM3 të vitit 2019, numri i udhëtarëve është zvogëluar për (-48.97%). Ndërsa, transporti i mallrave me tren në TM3 2020 ishte rreth 16 mijë ton, ku krahasuar me TM3 2019 ka një rënie prej (-86.12%)”, është thënë në raportin e ASK-së.
Sipas këtij raporti, sa i përket numrit të fluturimeve, në TM3 2020 është 1 212 fluturime, ku në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2019) ka një rënie prej (-58%). “Numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti gjatë këtij tremujori ishte rreth 275 mijë, e që në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2019) ka një rënie prej(-64.85%)”, thuhet në raport.