ASK-ja: Për tre muaj Qeveria shpenzoi 474.5 milionë euro
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar llogaritë qeveritare të Kosovës në bazë tremujore. Ky publikim paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe (TM3 2018).
Shuma e përgjithshme e të hyrave të Qeverisë për TM3 2018 ishte 635.9 milionë euro.
Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte të cilat paraqesin 62 për qind të totalit të të hyrave, ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave. Në TM3 2018 totali i përgjithshëm i shpenzimeve të Qeverisë ishte 474.5 milionë euro.
Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kompensimi i punëtorëve (31 për qind), kontributet sociale dhe përfitimet (25 për qind), formimi i kapitalit bruto (22 për qind) dhe konsumi i ndërmjetëm (9 për qind).
Pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në struktura të tjera të shpenzimeve.