ASK: Rriten çmimet e prodhimeve blegtorale dhe bimore

04 gusht 2020 | 13:56

Në tremujorin e dytë 2020, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka shënuar rritje me 7.89 për qind, ndërsa indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje me 7.25 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Kështu thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Në raportin më të ri për Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi” për tremujorin e dytë 2020, thuhet se “indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 7.69 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019”.

Sipas ASK-së, ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.

“Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve”, është thënë në raportin e ASK-së, duke u shtuar se në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.

A/M /Epoka e re

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nëse skuadra e Juventusit dështon në Ligën e Kampionëve, atëherë…