ASK: Tregtia e jashtme shënoi deficit tregtar më të lartë për 8.5%
Tregtia e jashtme në Kosovë ka shënuar deficit tregtar më të lartë për 8.5% në dhjetor 2017, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2016, gjegjësisht në vlerë 267,8 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 246,9 milionë eurosh më 2016, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Ndërkaq, sipas të dhënave të ASK-së eksporti mbulon importin me 9.9%. “Eksporti i mallrave në dhjetor 2017 kishte vlerën 29,4 milionë euro, ndërsa importi 297,3 milionë euro, që është një rritje prej 20.2% për eksport dhe 9.5% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016. 42.8% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9.4% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.0% e përbëjnë produktet minerale etj”, thuhet në raportin e ASK-së.
Sipas këtij raporti, 15.3% të importit e përbëjnë produktet minerale; 14.2% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 13.3% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 13.0% e përbëjnë mjetet e transportit; 8.7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 6.4% e përbëjnë produktet e industrisë kimike etj. “Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 6,8 milionë euro, ose rreth 23.3% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 35.3%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (6.2%), Holanda (3.9%), Britania e Madhe (3.6), Bullgaria (2.7%) etj. Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 137,6 milionë Euro, ose 46.3% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13.1%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (14.6%), Italia (5.7%), Rumania (3.0%), Greqia (2.8%), etj”, është thënë në raport.
Sipas ASK-së, në muajin dhjetor 2017, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 11,9 milionë euro, ose 40.5% të eksporteve të përgjithshme, që është një rënie prej (-0.5%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (17.7%), Maqedonia (9.6%), Serbia (5.5%), Mali i Zi (5.5%). “Importet nga vendet e CEFTA-s në dhjetor 2017 arritën në 79,6 milionë Euro, ose (26.8%) të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13.2%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (15.7%), Maqedonia (4.2%), Shqipëria (3.7%) dhe B&H (2.7%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 10,6 milionë euro, ose 36.2%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vendet për eksport janë India (24.4%) dhe Zvicra (5.2%).
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 79,9 milionë euro, ose 26.9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Kina (9.6%) dhe Turqia (8.5%)”, është bërë e ditur në raportin e ASK-së.