![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/09/drite-mbi-plage.jpg)
ASKUJT S’I BËHEJ VONË
ARIF MOLLIQI
ASKUJT S’I BËHEJ VONË
ishte e diel pranvere
vrasësit kishin qenë dy kolonë serbë
njëri i ardhur nga Knini e tjetri nga Nishi
i nxorën në oborr motër e vëlla
babai dhe nëna vdiqën
nga zhurmë shurdhuese e armëve
ka qenë ditë e hënë pranverë e vonshme
nën hijen e qershive të skuqura
(nga gjaku a stina inatçore)
vajza më e mirë e fshatit po hapte varrin
bashkë me vëllanë e vrarë
t’i fuste shtatë palë n’tokë plagët e veta
vitet e moshës së dhunuar
ekstazën e vrasësve plot marrëzi
në atë kohë
askujt s’i bëhej vonë për vdekjen
vajza më e bukur e fshatit
s’ka besuar se gënjehet me marrëzi
as me epitafe për dashurinë e shpifur
që ngjajnë në grafitë të pistë
mbase pikërisht edhe sot
edhe sot
kur shohim gjymtyrët në trupin e vdekur
lutemi veç për një varr
pastaj,
pak rëndësi ka nëse trupi i një gruaje
ka mbetur mbi dhe
që ta shohin së paku perënditë
(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020)