“Askush nuk do të mundet t’i falimentojë për interesa private e grupore Telekomin dhe Postën”
Me iniciativën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Zeqir Kiqina dhe ushtruesit të detyrës së kryeshefit të Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi, është mbajtur një takim me dy kryetarët e Sindikatave të Punëtorëve të këtyre ndërmarrjeve, Lamih Balaj dhe Bujar Shala.
Sipas një njoftimi të Postës së Kosovës, pas një diskutimi intensiv me transparencë të plotë nga ana e menaxhmentit dhe sindikatave, është shqyrtuar në hollësi gjendja e rëndë afariste dhe financiare e të dy ndërmarrjeve publike, Postës së Kosovës dhe Telekomit, strategjitë dhe planet për tejkalimin e kësaj gjendje që dikur i kanë dhënë dividentë aksionarit, Qeverisë së Kosovës mbi apo rreth 500 milionë euro.
“Menaxhmenti dhe sindikatat u pajtuan plotësisht se muaji shkurt 2021, është shumë sfidues dhe kërkon aktivitete të reja, të vendosura dhe të koordinuara për t’i mbrojtur e mbajtur aktive dhe operative të dy ndërmarrjet tona publike, nga të cilat varet mirëqenia e mbi 4 mijë familjeve të Kosovës”, është thënë në njoftimin e Postës së Kosovës.
Sindikatat e Postës dhe Telekomit kanë paraqitur strategjinë e tyre dhe vendosmërinë se zgjidhja e vetme është te shkaktari, pra, tek Qeveria e Kosovës, si aksionar, që nuk po i përmbush obligimet e saj si pronare e të dy ndërmarrjeve publike, Postës së Kosovës dhe Telekomi i Kosovës.
“1. Ekzekutimi i pagave për të dy ndërmarrjet publike do të bëhet i sinkronizuar që nëse ekzekutohen pagat e Telekomit për secilën kategori në cilën do datë të muajit, menjëherë ditën e nesërme (në varësi të ekzistimit të kesh-it, por jo më larg se tjetrën ditë të punës), do të ekzekutohen për punëtorët e Postës së Kosovës. 2. Të shtohet disiplina në punë dhe përgjegjësia në punë e të gjithë punonjësve të Postës së Kosovës dhe Telekomit të Kosovës dhe se opsioni për të protestuar në vendin e punës nuk është strategjia e duhur. 3. Nuk do të lejohet më tutje injorimi i gjendjes së rëndë dhe mos përmbushja e obligimeve të Qeverisë ndaj Postës së Kosovës dhe Telekomit të Kosovës. 4. Nuk do të lejohet cenimi dhe pasiguria, si dhe mirëqenia e rreth 4 mijë punonjësve të të dy ndërmarrjeve tona publike, asete jetike të shtetit të Kosovës. 5. Nuk do të lejohet bllokimi i mëtutjeshëm i llogarive bankare, as nga Qeveria dhe as nga Operatorët Privat, si dhe as nga Z- mobile. 6. Nuk do të lejohet me tutje që Qeveria të hesht përballë obligimeve që i ka ndaj dy ndërmarrjeve nga dëmi që iu është shkaktuar nga pandemia Covid-19. 7. Do të kërkohet me mirëkuptim dalje nga situata, ku politika i ka futur këto dy gjigante të Kosovës. 8. Sindikatat do të intensifikojnë veprimet e tyre, deri në grevë urie pranë Zyrës së Kryeministrit, Avdullah Hoti dhe ministrit të MEA-së”, është theksuar në njoftimin e Postës së Kosovës, duke shtuar se “Askush nuk do të mundet t’i falimentojë për interesa private e grupore Telekomin dhe Postën e Kosovës”, është thënë në këtë njoftim për media.