Askush s’duhet të ndihet i liruar nga përgjegjësia për rezultatin në PISA
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës së Kosovës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se të gjithë janë përgjegjës për rezultatin e dobët të Kosovës në PISA 2018.
Ai ka vlerësuar se Kosovës i duhet një angazhim i përbashkët në këtë drejtim dhe krijimi i një platforme kombëtare të arsimit.
“Askush nuk duhet të ndihet i liruar nga përgjegjësia, por nuk duhet as të humbim kohë duke gjetur fajtorë e duke bërë me gisht kah dikush tjetër. Na duhet angazhim i përbashkët dhe krijim i një platforme kombëtare të arsimit. Na duhet angazhim dhe përkushtim i sinqertë i të gjithëve”, ka thënë Jashari.
Ai ka mbrojtur mësimdhënësit, duke thënë se ata nuk janë fajtorë për këtë rezultat.
“Janë bërë shumë eksperimente në arsim tani e 20 vjet. Mësimdhënësit janë më së paku fajtorë në gjithë këtë. Atyre u duhet krijuar kushte për punë. U duhet ndihmuar me vizitat e inspektorëve profesionalë në orët mësimore për të parë cilat janë anët pozitive dhe çka duhet ndryshuar në punën arsimore dhe edukative të secilit mësimdhënës”, është shprehur ai, duke shtuar se SBAShK-u nuk ka asnjë faj.
“Ne kemi kryer obligimin tonë sipas statutit të SBAShK-ut. Ne kemi obligim ta mbrojmë anëtarësinë tonë dhe të bëhemi zë i kërkesave të tyre. Kështu veprojnë sindikatat kudo në botë. Institucionet deklarimin në publik, se arsimi është prioritet i shtetit, duhet ta kthejnë në vepër, duke ndarë me shumë mjete për arsimin, me qëllim që shkollat të jenë të përgatitura për kërkesat e shekullit 2”, ka thënë ai.
Sipas Jasharajt, me tabelë, shpuzë, shkumës e tekste të dobëta shkollore nuk mund të arrihen suksese të larta. “Po e them edhe një herë, duhet hequr dorë nga eksperimentet e vazhdueshme në arsim. Duhet krijuar platformë kombëtare të arsimit e jo të merren e huazohen praktika nga shtetet shumë të zhvilluara sepse ato praktika janë vështirë të zbatueshme në shkollat tona për arsye të kushteve të punës dhe shumë faktorëve të tjerë”, ka deklaruar Jasharaj.
“Epoka e re”: Z. Jasharaj, Kosova prapë është radhitur ndër vendet e fundit në testin ndërkombëtar PISA 2018. Cili është komenti juaj për këtë?
Jasharaj: Po, fatkeqësisht, edhe në PISA 2018 Kosova doli keq. Shpresonim se do të dilnim ndryshe duke parë mobilizimin që ishte bërë nga MAShT-i, DKA-të, mësimdhënësit dhe nxënësit me qëllim që të shënojmë arritje më të larta, por ky është realiteti. Mendoj se nuk duhet bërë gabim, siç ndodh zakonisht në Kosovë, që të bëjmë me gisht nga ai tjetri dhe të mundohemi ta gjejmë fajtorin jashtë nesh. Duhet të ulemi të gjithë, Akademia e Shkencave e Kosovës, përfaqësues të universiteteve, sindikata dhe të tjerët që janë të ndërlidhur me arsimin dhe bashkërisht të shohim pse ndodhi kjo. T’i shohim tekstet shkollore, kurrikulën, ta shohim pajisjen e shkollave me mjete të punës të cilat mungojnë, sepse ende punohet në shumicën e shkollave me shkumës dhe shpuzë dhe me tekste shkollore që nuk janë të mira. Pa dashur t’i mbroj, unë kam parë nga afër, në vizitat e përditshme nëpër shkollat e komunave të Kosovës, se pjesa më e madhe e mësimdhënësve angazhohen për të arritur rezultate por , mbase, tërë ky mund po mbetet pa rezultate të duhura shkaku i shumë faktorëve dhe, mbase, po ua mësojmë nxënësve atë që nuk duhet, prandaj bashkërisht duhet të punojmë për një platformë kombëtare të arsimit në mënyrë që nxënësve t’ua mësojmë atë që u duhet dhe ashtu si duhet.
“Epoka e re”: Kush mendoni se është përgjegjës për këtë rezultat të dobët?
Jasharaj: E thashë, askush nuk duhet të ndihet i liruar nga përgjegjësia, por nuk duhet as të humbim kohë duke gjetur fajtorë e duke bërë me gisht kah dikush tjetër. Na duhet angazhim i përbashkët dhe krijimi i një platforme kombëtare të arsimit. Na duhet angazhim dhe përkushtim i sinqertë i të gjithëve. Janë bërë shumë eksperimente në arsim tani e 20 vjet. Mësimdhënësit janë më së paku fajtorë në gjithë këtë. Atyre duhet t’u krijohen kushte për punë. U duhet ndihmuar me vizitat e inspektorëve profesionalë në orët mësimore për të parë cilat janë anët pozitive dhe çka duhet ndryshuar në punën arsimore dhe edukative të secilit mësimdhënës.
“Epoka e re”: SBAShK-u po kritikohet për këtë rezultat, sepse vazhdimisht ka kërkuar rritje të pagave për mësimdhënësit, ndërkohë kjo rritje e pagave nuk po kthehet në rezultat?
Jasharaj: SBAShK-u nuk ka as edhe një faj. Ne kemi kryer obligimin tonë sipas Statutit të SBAShK-ut. Ne kemi obligim ta mbrojmë anëtarësinë tonë dhe të bëhemi zë i kërkesave të tyre. Kështu veprojnë sindikatat kudo në botë. Institucionet, deklarimin në publik, se arsimi është prioritet i shtetit, duhet ta kthejnë në vepër, duke ndarë me shumë mjete për arsimin, me qëllim që shkollat të jenë të përgatitura për kërkesat e shekullit 21 e jo të vazhdohet të punohet si në shekullin e shkuar. Me tabelë, shpuzë, shkumës e tekste të dobëta shkollore nuk mund të arrihen suksese të larta sado që pjesa më e madhe e mësimdhënësve angazhohen. SBAShK-u nuk ka kërkuar rritje pagash, por ka kërkuar që sistemi arsimor në Ligjin e pagave të ketë vend meritor e jo të jetë i nënçmuar. Po e them edhe një herë, duhet hequr dorë nga eksperimentet e vazhdueshme në arsim. Duhet krijuar platformë kombëtare të arsimit e jo të merren e huazohen praktika nga shtetet shumë të zhvilluara sepse ato praktika janë vështirë të zbatueshme në shkollat tona për arsye të kushteve të punës dhe shumë faktorëve të tjerë.
“Epoka e re”: Si sindikatë, a keni ndonjë plan se si të kontrollohet performanca e mësimdhënësve në Kosovë?
Jasharaj: SBAShK-u ka qenë dhe mbetet kundër idesë së mbajtjes për testimin me shkrim të njohurive të mësimdhënësve sepse ato njohuri janë testuar nga profesorët e fakulteteve gjegjëse. Ne e kemi thënë dhe vazhdojmë të kërkojmë që inspektorët profesionalë t’i vizitojnë shkollat tona dhe ta shohin nga afër punën arsimore edukative me nxënës të mësimdhënësve tanë .
“Epoka e re”: Keni paralajmëruar se do të hyni në grevë nëse Avokati i Popullit do ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin për Paga. Sa do të ishte e drejtë hyrja në grevë në këtë kohë?
Jasharaj: Në takim me Avokatin e Popullit isha bashkë me kryetarin e Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla dhe me kryetaren e Sindikatës së Policisë, Valbona Kamberi. E kemi informuar Avokatin e Popullit lidhur me situatën që është krijuar mes anëtarësisë së këtyre tri sindikatave pasi është thënë dhe është dëgjuar se ai, mbase, do ta dërgojë Ligjin e Pagave në Kushtetuese. SBAShK-u fillimisht kishte bërë angazhime të shumta që Projektligji për pagat të tërhiqej dhe të uleshin të gjitha palët e ta përgatitnin si duhet sepse, e kemi thënë shumë herë dhe publikisht, se Projektligji ishte i dobët dhe, për sistemin arsimor, degradues dhe nënçmues. Por, kjo nuk u bë dhe u desh shumë angazhime të tjera të bëjmë, pastaj edhe grevë, për t’i ndryshuar koeficientet. Njerëzit kanë qenë në pritje që Ligji për Pagat të nisë të zbatohet me pagën e dhjetorit dhe ia kemi thënë Avokatit të Popullit se nëse kjo nuk ndodh atëherë mund të ketë reagime dhe veprime. Unë, si gjithmonë, do ta respektoj zërin e punëtorëve të tërë sektorit të arsimit dhe ashtu si vendos Këshilli Drejtues i SBAShK-ut, në të cilin janë përfaqësuesit e tërë sektorit të arsimit, nga çerdhet, arsimi parauniversitar dhe universitetet. Do të veproj ashtu si kërkojnë ata.