Askush s’mund ta dëmtojë heroizmin e luftëtarëve të lirisë
Këshilltari i ministrit të Jashtëm të qeverisë në detyrë, Glauk Konjufcës, Sabri Kiçmari, përmes një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook” i ka reaguar indirekt këshilltarit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, Shkëlzen Gashit.
Ky i fundit në emisionin Frontal të T7 e akuzoi publikisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës duke thënë se ka kryer krime lufte ndaj civilëve serbë.
Kiçmari, në shenjë reagimit të tij, ka shkruar se UÇK-ja ka qenë e drejtë, heroike dhe çlirimtare, se askush nuk mund ta dëmtojë heroizmin e luftëtarëve të lirisë.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, heroike dhe çlirimtare. Askush nuk mund ta dëmtojë heroizmin e luftëtarëve të lirisë. Themelet e lirisë sonë gjenden në luftën heroike të ushtarëve tanë. Populli i Kosovës e ruan të pastër respektin për ta!”, shkroi Gashi.
Ndaj deklaratës së Gashit kanë reaguar edhe Hysen Durmishi, Mimoza Shala, Enver Haliti, Glauk Konjufca, Fitim Uka e shumë të tjerë.
Të gjithë këta kërkuan shkarkimin e Gashit për shkak të deklaratave të tij.
Përveç këtyre, ka reaguar edhe kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, duke thënë se Gashi po e bën avokatin e Serbisë. Gjithashtu, edhe Andin Hoti, djali i atdhetarit Ukshin Hoti, reagoi ndaj tij duke e quajtur Gashin “zagar”.