Asllani: Këto minuta më bëjnë mirë, i lumtur që vesh fanellën e Interit
Kristjan Asllani ka folur për kanalin e klubit, Inter TV pas fitores 1-0 të zikaltërve në Ligën e Kampionëve kundër Sparta Pragës.
Mesfushori theksoi se aktivizimi si titullar do i bëjë mirë pasi shpesh herë ka qenë në bankinë.
“Bëmë atë që duhej të bënim. Na duhej shumë përqendrim. Sidomos në pjesën e parë dominuam, ishim të mirë në menaxhimin e lojës. Ka ende diçka që mungon, ne e dimë se sa e rëndësishme është kjo renditje. Më bëjnë mirë këto minuta, kam qenë shumë në bankinë. Jam i lumtur që e vesh këtë fanellë dhe jam shumë i fokusuar në çdo ndeshje të vetme. E rëndësishme ishte të fitonim sot, tani le të mendojmë për Leccen. Ne e dimë se sa e vështirë është ajo ndeshje jashtë fushe”, ka thënë mesfushori shqiptar i Interit, që luajti 71 minuta në transfertën në Çeki.