
Asllani pritet të largohet nga Interi
Debi i “Madonnina” djeg Kristijan Asllanin. Ndaj Milan, Inzaghi befasoi jo pak duke i besuar një fanellë titullari mesfushorit kuqezi, për Asllanin ky ishte një shans ideal për të blinduar statusin e tij te zikaltërit, por për fat të keq paraqitja e tij la për të dëshiruar.
Në të tilla raste, mediat italiane nuk dinë të ndalen duke kryqëzuar sërish futbollistin shqiptar. La Gazzetta dello Sport “ngel në klasë” Asllanin, jo vetëm kaq, por i pret edhe biletën, duke e bërë të sigurt largimin e tij nga Milano në fund të këtij sezoni: “Teorikisht titulli “futurist’ do t’i shkonte përshtat Asllanit, por jemi në fund të sezonit të tretë tek Inter, është një kohë e mjaftueshme që drejtuesit dhe trajneri të krijojnë një ide të qartë për potencialin e tij. Në fund të sezonit Asllani pritet të largohet”, vijon ndër të tjera “La Gazzetta” me analizën e sajë:
“Kur erdhi në 2022, Inter mendojë se kishte gjetur një yll, kjo pasi investuan 14 milionë euro, por Asllani qëndroi në vend numëro, u rrit pak ose aspak në këto tre vite. Diferenca mes titullarit dhe linjës së dytë është shumë e madhe në rastin e Asllanit. Ky ishte një tjetër rast i shpërdoruar”, shkruan “La Gazzetta”.
Në këto kushte, duket shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që Asllani të qëndrojë në Milano edhe sezonin e ardhshëm, kjo edhe për një arsye tjetër, edhe vetë mesfushori kuqezi ka nevojë për më shumë minuta, kërkon të ndryshojë statusin e tij si një zëvendësues luksi.