Asllani zhgënjeu në Ligën e Kampionëve, Inzaghi i del në mbrojtje
Interi shkëlqeu në derbin ndaj Milanit në fundjavë, shkatërroi rivalët e përjetshëm 5-1, teksa përballë Real Sociedadit vuajti dhe vetëm në fund evitoi humbjen.
Kapiteni Lautaro Martinez shënoi tre minuta përpara fundit të takimit, duke i dhuruar skuadrës së Simone Inzaghit barazimin 1-1 në takimin e parë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve, përballje të cilën Kristjan Asllani e nisi si titullar, por mesfushori shqiptar nuk e shfrytëzoi këtë mundësi.
Dhe përballë kundër baskëve nuk zhvilloi paraqitjen që pritej. Asllani dhe Marko Arnautoviq janë përballur me kritika për performancat e tyre kundër Sociedadit. Por, trajneri Simone Inzaghi u doli në mbrojtje dy futbollistëve.
“E kisha parashikuar që do të vuanim dhe që do ta kishim të vështirë. U përballëm me një skuadër me vlera. U treguam të aftë që mbetëm në ndeshje, edhe pse për një orë nuk luajtëm aspak mirë. Pikë e çmuar për ne kundër një skuadre të bukur”, theksoi Inzaghi, i cili vijoi edhe zgjedhjet e bëra në formacionin titullar.
“Është e lehtë të flasësh pas ndeshjes. Bëra katër ndryshime, sepse ishim të lodhur, edhe pse shkak të impenjimeve të lojtarëve me kombëtaret e tyre. Faleminderit Sommerit që na ndihmoi me pritjet e tij! Nuk mund t’ua vëmë fajin 2-3 lojtarëve. Të gjithë duhet të bënin më shumë, edhe unë. Mos të harrojmë t’ua japim meritat që u takojnë edhe kundërshtarëve tanë”, ka deklaruar trajneri i Interit.