Asnjë grua s’udhëheq listat zgjedhore shqiptare në Maqedoninë e Veriut
Aktivistët për të drejtat e grave kanë thënë se është për të ardhur keq që asnjë nga dy blloqet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare më 8 maj – Fronti Evropian dhe Koalicioni VLEN – nuk kanë marrë guximin që të garojnë me një grua në krye të listave për deputetë në gjashtë njësitë zgjedhore.
Megjithëse afati i fundit për dorëzimin e listave për deputetë është 2 prilli, partitë politike kanë dorëzuar emrat e bartësve të listave në gjashtë njësitë zgjedhore.
Në to nuk është lakuar emri i as edhe një gruaje për deputete nga partitë shqiptare.
Partitë politike shqiptare që janë pjesë e Frontit Evropian, si dhe Koalicioni VLEN janë arsyetuar se përfaqësimi i grave në listat zgjedhore do të jetë madje më i lartë se obligimi ligjor prej 40 për qind.
Lidhja Social-Demokrate në njësinë zgjedhore numër tre ka bërë të ditur se do të garojë me Sanja Lukarevskën, e cila drejton Drejtorinë e të Hyrave Publike, ndërsa partia maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE, në njësinë zgjedhore numër 6 do të synojë të fitojë besimin e qytetarëve në këtë zonë me Dafina Stojanovskën.
Deputetët në Maqedoninë e Veriut zgjidhen në bazë të modelit të listave të mbyllura, përkatësisht deputetë zgjidhen ata që janë në krye të listave në përputhje me numrin e votave të fituara sipas metodës së D’Hontit.
Nafije Selmani, aktiviste për të drejtat e grave, e cila ka garuar dhe në zgjedhjet lokale si kandidate për kryetare të Qytetit të Shkupit, duke komentuar listat për kandidatë për deputetë të partive politike shqiptare, ku nuk i është besuar asnjë gruaje detyra si bartëse liste thotë se kjo tregon se edhe pas 30 vjetëve nga pluralizmi i shtetit, te shqiptarët politika mbetet fushë mejdani vetëm e burrave.
“Partitë politike shqiptare nuk e kanë marrë seriozisht pjesëmarrjen e grave në jetën politike dhe njëherësh nuk janë mjaftueshëm të ndërgjegjshëm se janë vetë partitë politike ato që kanë përfitime kur gratë marrin pjesë në proceset zgjedhore, janë pjesë e institucionit ligjvënës, por edhe drejtojnë pozitat qeverisëse. Pjesëmarrja e grave nuk duhet parë nga dimensioni i përmbushjes së obligimit ligjor, por duke pasur një pjesëmarrje aktive në jetën politike duke artikuluar kërkesat e gjysmës së popullsisë në vend”, ka thënë Selmani.
Nga ana tjetër, Rita Beadini nga platforma Mollëkuqja, që në fokus ka të drejtat e grave, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë (REL)” se gratë vetë duhet të tregohen më luftarake për të marrë terrenin politik në mënyrë të barabartë me burrat.
“Nëse u lihet në dorë vetë partive politike që janë të drejtuara nga burrat, të vendosin për këtë çështje, veçanërisht partitë politike shqiptare as që e kanë parasysh çështjen e barazisë gjinore, përkatësisht përfshirjen e grave jo vetëm në listat zgjedhore, por në përgjithësi në pozitat vendimmarrëse, partitë politike nuk e shohin si problem mungesën e grave në pozitat udhëheqëse”, ka thënë Beadini.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë të përfaqësuar me 30 deputetë të shpërndarë në 8 parti politike të përfaqësuara në institucionin ligjvënës nga gjithsej 120 deputetë, por prej tyre vetëm 9 janë gra nga blloku politik shqiptar.
Për të rritur numrin e grave deputete në Kuvendin e Maqedonisë në vitin 2002, në Ligjin për zgjedhjen e deputetëve u përfshi kuota për garantimin e 30 për qind të ulëseve për gratë, dhe më pas kjo përqindje në vitin 2o15 u rrit në 40 për qind.
Gordana Siljanovska, kandidate nga radhët e VMRO DPMNE-së, thotë se fakti që po garon për të dytën herë, tregon se sa e pathyeshme mund të jetë një grua në qëllimet e saj. Fotografi nga arkivi.
Por, partitë vazhdojnë ta shmangin zbatimin e kësaj dispozite ligjore duke vendosur në listat zgjedhore çdo të tretën pozitë për gratë, dhe në krye të listave vendet e garantuara mbeten për burrat. /REL