Asnjë institucion dhe asnjë forcë politike nuk mund të jetë mbi Gjykatën Kushtetuese
Drejtori i “Zëri Perëndimor i Kosovës” dhe njohës i çështjeve politike, Sali Bislimi, ka thënë se skena politike dhe institucionale në Kosovë është e tensionuar, në veçanti pas mocionit të rënies së Qeverisë Kurti.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Bislimi ka theksuar se asnjë institucion dhe asnjë forcë politike nuk mund të jetë mbi Gjykatën Kushtetuese që të mos i përfillë vendimet e saj.
“Mospërfillja eventuale e rrëshqet Kosovën drejt diktaturës dhe anarkisë”, ka thënë ai.
Bislimi ka thënë se Kuvendi i Kosovës si institucion i zgjedhur nga populli ka të drejtën të shkarkon dhe zgjedh cilëndo qeveri.
Sipas tij, kërkesa e VV-së për protesta është shkelje e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe tendencë për të mbajtur pushtetin me forcë. Kjo praktikë, sipas Bislimit nuk duhet lejuar.
Ai ka thënë se Kosovën e presin sfida të mëdha, siç është dialogu me Serbinë, perspektiva euroatlantike, rimëkëmbja ekonomike, forcimi i besimit dhe bashkëpunimit strategjik dhe partneritetit me ShBA, NATO-n dhe Bashkimin Evropian, dhe jo siç thotë ai “inatet e tipeve të fiseve mesjetare dhe politikat staliniste e neokoministe”.
Në këtë intervistë Bislimi ka folur edhe për mërgatën në Zvicër. “Mërgata shqiptare në Zvicër ka luajtur një rol historik gjatë gjithë këtyre dekadave, jo vetëm në aspektin ekonomik e financiar, por edhe në aspektin politik të sensibilizimit të opinionit helvetik dhe evropian për lirinë e Kosovës”, është shprehur Bislimi.
Duke folur për radikalizmin islamik, ai ka thënë se është rrezikshëm dhe dëmton imazhin e Kosovës.
“Epoka e re”: Z. Bislimi, ju jeni një kohë të gjatë aktivist në Zvicër, çfarë është përshtypja për mërgatën tonë atje, para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë?
Bislimi: Tashme i kalova afër tri dekada në Zvicër, duke ndarë fatin me popullin e Kosovës, në kohen kur ishin të larguar nga puna dhe të përndjekur nga regjimi diktatorial i Serbisë. Mërgata shqiptare në Zvicër ka luajtur një rol historik gjatë gjithë këtyre dekadave, jo vetëm në aspektin ekonomik e financiar, por edhe në aspektin politik të sensibilizimit të opinionit helvetik dhe evropian për lirinë e Kosovës, me organizimin e demonstratave, kontakteve diplomatike, organizimit të shkollave shqipe dhe pasqyrimin e së vërtetës së Kosovës nga gjenocidi i regjimit të Millosheviqit. Para dhe gjatë luftës mërgata jonë ishte shumë aktive. Pas luftës sikur vërehet një zbehje e rolit të mërgatës sonë, e kjo edhe me fajin e Prishtinës zyrtare e cila sikur ka shkëputur bashkëpunimin institucional me diasporën. Në anën tjetër pas luftës edhe kleri është aktiv për dy qëllime. Të përfitimeve materiale dhe përhapjes së propagandës fetare, sidomos vërehen tendencat tejet të dëmshme të radikalizmit islamik dhe forcimit të islamit politik, i cili vjen edhe nga shtetet islamike por edhe nga vet Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës.
Radikalizmi islamik është i rrezikshëm dhe dëmton imazhin e Kosovës, cenon perspektiven tonë evropiane dhe integrimin euroatlantik. Ky koncept është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si shtet sekular dhe laik dhe është në favor të politikave serbo-turke në Kosovë dhe Ballkan.
“Epoka e re”: Cili është roli i institucioneve të Kosovës për të evituar këto tendenca?
Bislimi: Institucionet dhe forcat politike kosovare duhet ta respektojnë rigorozisht laicitetin e shtetit të Kosovës, duke ndarë shtetin nga religjioni. Islami politik është një tendencë në rritje për tërë Ballkanin e sidomos në Kosovë, Maqedoni e Veriut, Shqipëri, Mali i Zi, Bosnjë etj.
Institucionet e Kosovës për interesa të votave dhe interesa tjera klanore nuk janë duke bërë punën e tyre për të kundërshtuar rritjen e islamit politik dhe radikalizmit fetar. Turqia dhe organizata erdoganiste Tika si dhe shoqatat gjoja humanitare, përmes aktiviteteve dhe investimeve të tyre, kanë për qëllim të përhapin radikalizmin islamik dhe përçarjen fetare e cila është kancer për shoqërinë tonë evropiane. Shteti i Kosovës duhet t’i vëzhgojë dhe monitorojë këto organizata dhe individë të cilët në emër të humanizmit forcojnë radikalizmin islamik.
“Epoka e re”: Çfarë mendoni për zhvillimet politike në Kosovë?
Bislimi: Skena politike dhe institucionale në Kosovë është e tensionuar dhe e frustruar, në veçanti pas mocionit të rënies sw Qeverisë Kurti, e cila ra pas një votimi me shumicë votash nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Tani çështja është në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe duhet pritur aktgjykimi i saj i cili është i plotfuqishëm për të gjitha palët. Asnjë institucion dhe asnjë forcë politike nuk mund të jetë mbi Gjykatën Kushtetuese dhe të mos i përfillë vendimet e saj. Mospërfillja eventuale e rrëshqet Kosovën drejtë diktaturës dhe anarkisë. Kuvendi i Kosovës si institucion i zgjedhur nga populli është ai i cili e zgjedh apo shkarkon cilëndo qeveri.
Kërkesa e VV-së për protesta është shkelje e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe tendencë për të mbajtur pushtetin me forcë dhe kjo praktikë nuk duhet lejuar. Kosova nuk është Kore e Veriut as Venezuele, është shtet i ri dhe demokratik, është Republikë Parlamentare dhe se vota e deputetëve është sovrane dhe legjitime. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në fakt ia dha mundësinë liderit të VV-së Albin Kurti për ta riberë Qeverinë e Kosovës, por si duket Kurti e ka të pamundur me 30 vota ta bëjë këtë, andaj kushdo që mund ta bëjë shumicën parlamentare mund ta bëjë edhe Qeverinë e Kosovës, deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo praktikë ndodh kudo në shtetet demokratike veç atyre diktatoriale.
Institucionet e Kosovës në këtë periudhë është më mirë të merren me trajtimin e pandemisë me Covid-19, pasojat e kësaj pandemie për shoqërinë kosovare dhe jo të bëjnë luftë gjelash për pushtet.
Kosovën e presin sfida të mëdha, siç është dialogu me Serbinë, perspektiva euroatlantike, rimëkëmbja ekonomike, forcimi i besimit dhe bashkëpunimit strategjik dhe partneritetit me ShBA, NATO-n dhe Bashkimin Evropian dhe jo inatet e tipeve të fiseve mesjetare dhe politikat staliniste e neokoministe.
(M.Q / Epoka e re)