‘Asnjë komunë nuk i ka përmbushur premtimet elektorale’
Organizata Demokraci Plus (D+) ka prezantuar raportin për të gjeturat dhe vlerësimin e respektimit të zotimeve nga kandidatët për kryetarë të komunave.
Sipas këtij raporti për përmbushjen e zotimeve kryeson Komuna e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjakovës.
Ndërsa në nivelin më të ulët të përmbushjes së zotimeve është Komuna e Gjilanit. Pavarësisht kësaj, autorja e këtij raporti, Roberta Osmani, ka bërë me dije se asnjë nga komunat nuk i kanë përmbushur zotimet elektorale.
“Zotimi i pesë shumica e komunave nuk e kanë përmbushur dhe publikuar këtë raport”, ka thënë Osmani.
Ndërsa Jemir Bakija nga Demokraci Plus, ka theksuar se zotimet janë marrë nga kandidatët e shtatë komunave në Kosovë.
“Kemi biseduar me kandidatët që kanë qenë për kryetarë të komunave dhe këto zotime janë marrë vetëm nga kandidatët e shtatë komunave”, ka thënë Bakija.
Në anën tjetër, nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi, ka thënë se kjo komunë mbetet në shërbim të qytetarëve, sidomos kur ankesat dhe kërkesat e tyre adresohen përmes platformës “online”.
Duke iu referuar raportit të Demokraci Plus, Komuna e Prizrenit prin në vendimet e kryetarit, ajo e Prishtinës për planet urbanistike dhe rregulloret komunale, Ferizaj për raportet e shpenzimeve dhe rezultatet e konkurseve. Për adresimin e ankesave “online” kryeson kryeqyteti.
/Epoka e re/