Asnjë lojtar me Covid-19, Shqipëria nisen drejt Kazakistanit
Ekipi i Kombëtares së Shqipërisë është në dispozicion me të gjithë futbollistët dhe asnjë nuk është prekur nga Covid-19. Pas konfirmimit të përgjigjeve nga testi i tamponit, ku të gjithë futbollistët dhe stafi teknik rezultuan negativë, Kombëtarja u nis drejt Kazakistanit, për sfidën e 11 tetorit.
Udhëtimi është i gjatë, me distancën prej afro 3,700 kilometrash, që do të përshkohet për më tepër se 5 orë. Menjëherë, skuadra do të akomodohet në hotel, për të zhvilluar edhe seancën stërvitore, por ku më tepër rëndësi do t’i kushtohet rikuperimit fizik nga lodhja e udhëtimit.
Sapo u konfirmua prezenca në skuadër e portierit Etrit Berisha, Shqipëria humbi gardianin Thomas Strakoshën. 25-vjeçari i Lazios është i dëmtuar, ashtu sikurse edhe sulmuesi Myrto Uzuni dhe mbrojtësi Jon Mresinaj.