Asnjë pacient me koronavirus nuk u lirua sot nga QKUK-ja
Janë 12 pacientë të cilët po trajtohen në Klinikën Infektive sot gjatë ditës. Dy prej tyre po trajtohen në kujdesin intensiv, ndërsa dy të tjerë janë me oksigjeno-terapi.
Të shtunën nuk është liruar asnjë pacient nga Infektiva si i shëruar me koronavirus.
Infektologia Vera Berisha-Ndreja, ka deklaruar se gjatë ditës pritwn rezultatet edhe për pesë pacientë. “Në Klinikën Infektive për momentin janë 12 pacientë Covid pozitiv. Katër prej tyre janë me oksigjeno-terapi, dy janë në mjekimin intensiv. Ndërsa, dy janë në repart me oksigjeno-terapi. Gjendja e pacientëve të tjerë është stabile, jemi duke i përcjellë, janë me parametra stabil vital dhe nuk kanë nevojë për oksigjeno-terapi”, u shpreh ajo për “KosovaPress”.
Përveç 12 pacientëve të cilët po trajtohen në klinikë, dhe janë të konfirmuar me Covid-19, janë edhe pesë të tjerë të cilët kanë rezultuar negativ, por që vazhdojnë trajtimin, ngase Berisha-Ndreja thekson se është parë e nevojshme edhe më tutje.“Kemi edhe pesë pacientë të tjerë të cilat presim për rezultat. Por ky numër nuk do të thotë që nuk ndryshon edhe brenda ditës”, thekson ai.
Ndërkohë, gjatë ditës nuk është liruar asnjë pacient nga klinika, e që të njëjtit janë shëruar nga kjo sëmundje. “Kemi mosha të ndryshme kemi edhe mosha të reja. Fëmijë për momentin nuk kemi, ndërsa në mjekimin intensiv janë dy pacientë të cilët janë të moshës mbi 70 vjeçare. E pacientët e tjerë të cilat janë me oksigjeno-terapi por që janë në repart janë mosha 59, gjegjësisht 60 vjeçare”, shton Berisha-Ndreja.
Infekologia Vera Berisha-Ndreja njofton për KosovaPress se gjatë ditës po ri-testohen disa pacientë, për të vërtetuar nëse janë shëruar nga koronavirusi.
Nga 13 marsi kur janë konfirmuar rastet e para me Covid-19, janë identifikuar 955 raste, 691 janë shëruar, ndërkaq 29 kanë humbur “betejën” e luftimit me koronavirus.