Asnjë rast i infektuar me ethe hemorragjike në Malishevë
Situata epidemiologjike me Ethet Hemorragjike Krime Kongo (EHKK) në territorin e komunës së Malishevës është nën kontroll.
Kështu është bërë me dije në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, të cilën e ka drejtuar nënkryetari i komunës së Malishevës, Hajdin Berisha.
Në këtë mbledhje është theksuar se nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me virusin e EHKK.
Po ashtu, në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve të komunës së Malishevës është raportuar edhe për çështje tjera që lidhen me punën dhe aktivitetet e qeverisë komunale.
Drejtori komunal për Shëndetësi dhe ai për Mbrojtje dhe Shpëtim, kanë bërë me dije se pavarësisht rasteve të thumbimeve nga rriqrat, deri më tani sikur edhe tri vitet e kaluara, nuk ka raste të infektimit nga virusi i EHKK-së, ndërsa është duke vazhduar dezinsektimi i zonave që cilësohen endemike.
Në mbledhje është raportuar edhe projektet që janë duke vazhduar sipas planifikimeve, ndërsa pohuar se është duke u bërë edhe mirëmbajtja e hapësirave publike. Gjithashtu është potencuar se inspektorati komunal ka ndërprerë punimet në një rast të ndërtimit, pasi pronari nuk kishte respektuar parametrat e lejuara për ndërtim.