Asnjë vëzhgues për zgjedhje nuk është akredituar deri më tani në KQZ
Zgjedhjet lokale të 17 tetorit po afrohen, por deri më tani asnjë aplikim nuk është paraqitur në KQZ për t’u akredituar si vëzhgues i këtyre zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se janë në pritje të aplikimeve për akreditim të vëzhguesve dhe medieve.
“Kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve mund ta dorëzojnë: subjektet politike të certifikuara; organizatat joqeveritare vendore të cilat merren me zgjedhje dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut; organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare; organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhje dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut; përfaqësuesit e vendeve të huaja dhe mediat”, ka thënë ai.
Elezi ka treguar edhe për afatet se deri kur mund të aplikojnë këto subjekte pwr akreditim.
“Afatet për aplikim të vëzhguesve afatgjatë (për të gjithë procesin zgjedhor) janë: Për akreditim të vëzhguesve të subjekteve politike dhe të OJQ-ve fillon më 1 korrik dhe përfundon më 15 shtator; Për akreditim të vëzhguesve ndërkombëtar dhe të mediave fillon më 1 korrik dhe përfundon më 2 tetor. Afatet për aplikim të vëzhguesve afatshkurtër (për ditën e zgjedhjeve) janë: Për akreditim të vëzhguesve të subjekteve politike dhe të OJQ-ve fillon më 30 korrik dhe përfundon më 27 shtator; Për akreditim të vëzhguesve ndërkombëtar dhe të mediave fillon më 30 korrik dhe përfundon më 2 tetor”, ka deklaruar ai.
Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund t’i vëzhgojnë Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit.