Asociacioni Ballkanik – Ide Alternative

13 shtator 2024 | 16:46

Dr. Sc. Salihe Salihu
Kryetare e Institutit Shkencor Kosovaro-Suedez

Kosova ka marrë përgjegjësinë për të themeluar një Asociacion, por ideja se si të etablohet Asociacioni ka nxjerrë në pah pretendime diametralisht të kundërta midis palës serbe dhe asaj kosovare.

Thelbi i propozimit të idesë për krijimin e Asociacionit nga ndërkombëtarët ishte që, në mënyrë paqësore, të zbatohen kriteret e Kopenhagës dhe kornizat e tjera rregullative të nivelit ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve.

Në aspektin e mbrojtjes së të drejtave, Kosova, me legjislacionin e saj në fuqi, ka përmbushur të gjitha të drejtat e minoriteteve. Në pajtim me legjislacionin, krijimi i një Asociacioni në përputhje me plotësimin e të drejtave minoritare nga qeveria e Republikës së Kosovës nuk është kundërshtuar asnjëherë. Megjithatë, kundërshtimet janë ngritur për shkak të synimeve të Serbisë që të shtohen kompetenca ekzekutive për themelimin e Asociacionit.

Edhe pse të gjitha palët e përfshira në mbështetje të themelimit të Asociacionit e kanë kuptuar qëllimin e Serbisë, nuk duket se është krijuar një situatë e volitshme për t’u vënë vijë e kuqe këtyre pretendimeve. Si rezultat, tashmë rreth kësaj teme është krijuar një ngërç që ka paralizuar dy shtetet në rrugëtimin e tyre drejt proceseve integruese në Unionin Europian. Për tejkalimin e këtij ngërçi, mund të kërkohen ide-alternative për zgjidhjen e kësaj çështjeje, me synim që themelimi i Asociacionit të kontribuojë për një klimë paqësore, veçanërisht mes dy shteteve, por që të ketë edhe shtrirje në të gjithë Ballkanin.

Një ide alternative për zgjidhje mund të jetë themelimi i një organizate joqeveritare në nivel ballkanik me emërtimin: Asociacioni Ballkanik.

Për mirëmbajtjen e këtij Asociacioni Ballkanik duhet të përcaktohet përbërja dhe veprimtaria. Brenda këtyre dy komponentëve, duhet të qartësohet se kush mund të jetë pjesë përbërëse dhe si do të veprohet brenda Asociacionit Ballkanik.

Së pari: Çfarë përbërje duhet të ketë Asociacioni Ballkanik?

1. Të dërgohen përfaqësues të zgjedhur nga Këshillat për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut nga secili shtet ballkanik.
2. Numri i përfaqësuesve të secilit minoritet të jetë i barabartë dhe të respektohet përfaqësimi gjinor.
3. Zgjedhja e organit drejtues të bëhet me rotacion.

Së dyti: Çfarë aktiviteti/veprimtarie mund të zhvillojë Asociacioni Ballkanik?

1. Të grumbullojë argumente për shkeljen e të drejtave të minoriteteve.
2. Të raportojë për moszbatimin e ligjeve në fuqi për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve.
3. Të raportojë për nevojën e përforcimit të ligjeve për mbrojtjen e të drejtave.
4. Të raportojë për nevojat e integrimit të minoriteteve në institucionet shtetërore.
5. Të gjitha raportet e miratuara nga Asociacioni Ballkanik t’u dërgohen qeverive të secilit shtet ballkanik dhe të merren në konsideratë nga secili shtet.

Me këtë format dhe me këtë lloj aktiviteti/veprimtarie, themelimi i Asociacionit Ballkanik mund të kapërcejë ngërçet dhe tensionet politike dhe të ecet drejt zhvillimit demokratik për krijimin e stabilitetit në të gjithë Ballkanin.

Asociacioni Ballkanik duhet të konsiderohet nga secila qeveri si një organ ndihmës që do të kontribuojë për mbikëqyrjen e zbatimit të të drejtave për të gjithë njerëzit që jetojnë në territorin ballkanik, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

Ideja-Alternative e Asociacionit Ballkanik është një formulë që mund të hapë shtigje për të shtuar përpjekjet për stabilizimin e gjithë Ballkanit. Kjo alternativë sjell dhe rrit besimin për thellimin e demokracisë dhe për ndërtimin e bashkëpunimit paqësor në Ballkan.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Konsiderohet si një prej mbrojtësve më të mirë në historinë…