Asociacioni, çështje e ngrirë deri në vazhdimin e dialogut
Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndonëse e pazbatuar, vazhdon të cilësohet nga Bashkimi Evropian (BE) si një nga të arriturat në procesin e gjatë të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuara nga BE-ja.
Por, për këtë Asociacion, shumë pak flitet si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, pasi që autoritetet e të dyja vendeve janë më tepër të përqendruara në arritjen eventuale të një marrëveshjeje finale.
Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, ka kritikuar institucionet e Kosovës dhe ka shprehur keqardhje që Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe ende nuk është zbatuar nga autoritetet e Kosovës.
Këshilli ka kërkuar po ashtu që marrëveshjet e arritura në dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zbatohen nga të dyja palët. Kryesisht bëhet fjalë për marrëveshje që ishin nënshkruar në fazën e hershme të bisedimeve, qysh në vitin 2013.
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë deklaruar së fundmi se nuk do të themelohet kurrfarë Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, përderisa nuk arrihet edhe një marrëveshje finale me Serbinë, ku Asociacioni mund të jetë një nga pikat e saj.
Beqir Fejzullahu, zëvendësministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se deri më tash nuk ka ndonjë veprim në drejtim të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Meqenëse dialogu ka ngecur dhe nuk ka lëvizje në atë drejtim, për momentin nuk ka lëvizje as te Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal lidhur me krijimin e këtij Asociacioni. Dialogu do të zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivel të presidentëve dhe kuptohet që Qeveria e Kosovës ka edhe Ekipin negociator, atëherë varet nga zhvillimet e dialogut kur ai të rifillojë”, ka thënë Fejzullahu.
Zëvendësministri Fejzullahu, kas thënë se kur faktori ndërkombëtar kërkon nga Kosova zbatimin e një marrëveshjeje, duhet t’i kërkojë njëkohësisht edhe Serbisë që t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara.
“Këshilli i Ministrave kur kërkon zbatimin e marrëveshjeve të arritura në vitin 2013/2015, ka një numër marrëveshjesh të cilat nuk janë zbatuar nga ana e Serbisë”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, Këshilli i Ministrave ka përsëritur se të gjitha marrëveshjet e arritura nën ombrellën e BE-së, duhet të implementohen. Po ashtu, është kërkuar edhe konsolidim i mëtejshëm i marrëveshjes për drejtësi dhe implementim i plotë i marrëveshjes për Telekomin.
Në anën tjetër, Jeta Krasniqi, njohëse e procesit të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se para se të ketë vërejtje nga Këshilli i Ministrave të BE-së për Kosovën, kritika të ashpra duhet të bëhen për Serbinë, pasi që sipas saj, Serbia nuk është duke zbatuar pjesën më të madhe të marrëveshjeve të arritura nga dialogu.
“Pala kosovare ka shprehur gatishmërinë për ta formuar këtë Asociacion në përputhje me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ashtu siç është edhe në marrëveshje, ku thuhet se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës. Pra, pala kosovare është e gatshme ta zbatojë marrëveshjen, por është Serbia ajo e cila nuk do që ta formojë Asociacionin ashtu siç thuhet nga Gjykata Kushtetuese. Prandaj, presioni duhet të shkojë drejt Serbisë”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka theksuar se pala serbe ka shumë e më shumë marrëveshje të pazbatuara e që janë shumë të rëndësishme dhe kanë peshë në përmirësimin e raporteve mes dy vendeve. Ajo thotë se Bashkimi Evropian duhet të jap shpjegime se pse ka vonesa në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura.
“Ajo që ne dimë është se nga viti 2017, bisedimet teknike janë ndërprerë, prandaj duhet të ketë një qartësim nga ana e zyrës së Mogherinit e cila është ende ndërmjetësuese e këtij procesi për të sqaruar se çka ka ndodhur me marrëveshjet e arritura ne këto shtatë vite dialog dhe çka do të ndodh me këto marrëveshje edhe në të ardhmen në fazën finale të këtij procesi”, është shprehur Krasniqi.
Aktualisht, autoritetet qeveritare në Kosovës po kërkojnë një marrëveshje kornizë për fazën e ardhshme të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmes se cilës do të drejtohej më pas i gjithë procesi i finalizimit të dialogut.
Një kërkesë të tillë, kryeministri Ramush Haradinaj e ka sforcuar sidomos pas Samitit të Berlinit dhe takimit të mëvonshëm që zhvilloi me kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila bashkë me presidentin francez Emmanuel Macron, po kërkojnë një rol më të madh në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Nisma Merkel – Macron, është një përpjekje e re për ri-fillimin e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi që procesi i lehtësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, ka rreth shtatë muaj që ka mbetur i bllokuar.