Asociacioni i Komunave Serbe të jetë i njëjtë me asociacionin tonë
Zëvendëskryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), njëherësh kryetar i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, e ka quajtur të panevojshëm themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Megjithatë, ai ka thënë se edhe nëse ky asociacion bëhet duhet t’i ketë kompetencat e njëjta me Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Gashi ka theksuar se asociacioni duhet të themelohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi dhe, sipas tij, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive.
Ai ka thënë se nuk duhet të ketë dallime në mes të asociacioneve.
Gashi është shprehur i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit në mes të nivelit lokal dhe atij qendror duke thënë se një gjë e tillë duhet të vazhdojë edhe më tutje.
Ai ka bërë me dije se Ligji për Obiliqin do të fillojë të zbatohet nga janari i vitit të ardhshëm.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)