Asociacioni mund të sjellë ndryshime kushtetuese në Kosovë
Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, që është kërkesë e kamotshme e palës serbe, mund të prodhojë ndryshime kushtetuese. Ndonëse Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk është në përputhje me nenet e Kushtetutës, sipas kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, Kosova duhet ta respektojë një marrëveshje ndërkombëtare.
Ibrahimi për “Ekonomia Online” nuk ka dhënë hollësi nëse formimi i Asociacionit mund ta përmbyllë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. “Kjo marrëveshje është kontestuar nga Gjykata Kushtetuese. 20 nene të kësaj marrëveshje nuk janë në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Nëse kërkohet nga Kosova si shtet që të respektojë një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, atëherë ky mekanizëm në atë marrëveshje është paraparë të ketë disa kompetenca ekzekutive në fushën e shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, arsimit, me mundësi të krijimit të ndërmarrjeve publike, të cilat asociacionet nuk mund t’i kenë”, u shpreh Ibrahimi.
Nëse ky statut votohet në Kuvendin e Kosovës, i cili nuk është paralel me Evropën, sipas Ibrahimit, ky mekanizëm do të jetë politik, andaj kërkoi që të bëhen ndryshime kushtetuese.
Mes të tjerash, ai theksoi se ky mekanizëm do të shkaktojë probleme në stabilitetin e vendit. “Ky mekanizëm nuk do të jetë i barabartë me Asociacionin e Komunave të Evropës. Kur një statut e akt juridik votohet në parlament do të thotë se ky do të jetë politik. Nëse një mekanizëm i tillë krijohet atëherë kemi edhe rrafshin e mesëm i cili do të jetë një rajon me kompetenca ekzekutive. Nëse merret një vendim politik në një niveli tjetër patjetër këto duhet të paraprihen me ndryshime kushtetuese. Mekanizmi nuk do të jetë i dobishëm, por do të jetë krijimi i një niveli qeverisës i cili në të ardhmen do të shkaktojë probleme sa i përket stabilitetit në Republikën e Kosovës”, ka thënë Ibrahimi.
Kurse nga shoqëria civile thonë se marrëveshja për Asociacionin nuk do të bëhet konform marrëveshjes së Brukselit, por sipas Kushtetues së Kosovës pasi që aty shkelen disa parime.
Njohësi i çështjeve politike, njëherësh edhe kryetar i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, deklaroi se Asociacioni do të jetë pika kryesore e Dialogut me Serbinë. “Ne kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që thotë se Asociacioni i Komunave Serbe nuk mund të bëhet koonform marrëveshjes që është në Bruksel, po konform kushtetutës sepse aty shkelen disa parime apo qëndrime kushtetuese dhe në bazë të kësaj po besoj se qëndrimi i komitetit serb në Kosovë është kundër që asociacioni të krijohet vetëm brenda konturave kushtetuese sepse ata dëshirojnë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe mendoj se kjo është një çështje e bllokuar që me gjasë të zhvendoset në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe do të jetë pika kryesore dialogut”, tha ai.
Me tej, Demhasaj potencoi se në rast se bëhet formimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive do të jetë një pushtet i ndërmjetëm ndërmjet atij lokal dhe qendror. “Ne i kemi dy qëndrime të kundërta, pra kemi një marrëveshje në Bruksel që parasheh krijimin e asociacioneve që ka edhe kompetenca ekzekutive dhe në një mënyrë mund të qëndrojë mes pushtetit lokal dhe pushtetit qendror. Pra, një pushtet i ndërmjetëm. Dhe, në anën tjetër, vendimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se ajo marrëveshje bie në kundërshtim me disa prej parimeve kryesore që ka kushtetuta jonë dhe si e tillë nuk mund të formalizohet në një asociacion”, potencoi Demhasaj.
Disa nene të marrëveshjes së vitit 2013 për formimin e Asociacionit me Komunat Serbe ishin vlerësuar si se nuk janë në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Formimi i Asociacionit ishte nënshkruar ndërmjet dy ish-kryeministrave, Isa Mustafës dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Frederica Mogherinit.