Asociacioni, ‘nën hijen’ e marrëveshjes përfundimtare
Paralajmërimi i mundësisë së një marrëveshjeje eventuale përfundimtare në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ndonëse ky proces ka ngecur aktualisht, ka bërë që çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si pjesë kryesore e marrëveshjes ndërmjet dy palëve në Bruksel, të heshtet tash për tash, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.
Politologu Ramush Tahiri, duke folur për “Radion Evropa e Lirë”, ka theksuar që në kuadër të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte menduar si një zgjidhje që do të çonte drejt normalizimit e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Por, sipas tij, shpërfaqja e ideve për ndryshimin e kufirit Kosovë-Serbi, si zgjidhje e mundshme e kontestit mes dy vendeve, e ka lënë nën hije formimin e Asociacionit, si zgjidhje të mundshme. Kjo ide nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është quajtur si “korrigjim i kufirit”, ndërkaq nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si “përcaktim i kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”.
“Është llogaritur ose po llogaritet, që në qoftë se bëhet kufiri i ri i Kosovës, atëherë obligimet ndërkombëtare që i ka marrë Kosova për Asociacionin, por edhe vetë dokumenti i Ahtisaarit, bien poshtë dhe krijohet një realitet krejtësisht i ri. Faktikisht, Lista Serbe sot nuk po ankohet pse nuk po bëhet Asociacioni. Vuçiq po ankohet te bashkësia ndërkombëtare, por nuk e ka atë vënë kusht për vazhdimin e bisedimeve. Ndërsa, institucionet e Kosovës, asnjë parti politike, as Kuvendi e as Qeveria, nuk janë të interesuara që ta bëjnë Asociacionin”, ka thënë Tahiri.
Mendim të ngjashëm ka edhe njohësi serb i zhvillimeve politike, Petar Miletiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thekson që nuk mund të thuhet krejtësisht me siguri se palët kanë hequr dorë nga formimi i Asociacionit, por sipas tij, heshtja e të dy palëve lidhur me këtë çështje, flet për atë se formimi i Asociacioni nuk është në plan të parë.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/asociacioni-nen-hijen-e-marreveshjes-perfundimtare/29848024.html.