Asociacioni nuk është prioritet për pushtetin, i kemi tri vija të kuqe

19 tetor 2023 | 08:46

Qeveria e Kosvës tha se Asociacioni aktualisht nuk është prioritet i saj por ka ripërsëritur qëndrimin se nuk e pranon një Asociacion me kompetenca ekzekutive. Në opozitë ndërkaq e kanë kritikuar Qeverinë se në Ohër ka pranuar më shumë se Asociacion. Opozita e ka akuzuar Kurtin se pranoi autonomi për serbët e Kosovës. Ndërkohë, analistët vlerësojnë se Kosova nuk mund t’i shmanget themelimit të Asociacionit sepse është obligim ndërkombëtar.

Kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur një deklarate të presidentit Vuçiq i cili ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk dëshiron marrëveshje paqeje sepse nuk po e themelon Asociacionin. Sipas Kurtit, Vuçiq ka synim që ta instalojë një etnitet juridiko etnokratik brenda Kosovës.

”Aleksandar Vuçiq kërkon të instalojë një entitet juridiko-politik etnokratik brenda Kosovës, në mënyrë që ta bëjë republikën tonë një shtet jofunksional. Ai nuk beson në idenë e qytetarisë liberal-demokratike’’, tha Kurti.

Por, këto deklarime të kryeministrit po shihet si justifikime nga opozita kosovare. Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, kritikon Kurtin se në Ohër është pajtuar me Vuçiqin për themelimin e Asociacionit.

‘’Në marrëveshjen e Ohrit janë pranuar të gjitha marrëveshjet. Por, Kurti ka pranuar më shumë se Asociacioni. Ka pranuar nenin 7 dhe 10 që do të thotë vetmenaxhim politik, që i bije autonomi politike për minoritetin serb dhe një status të veçantë juridik për serbët’’, deklaroi Kastrati.

Pavarësisht kërkesës së faktorit ndërkombëtar që të themelohet Asociacioni, deputeti i VV-së, Armend Muja, thotë se kjo temë nuk është prioritet për pushtetin. Sipas tij, janë tri vija të kuqe që Qeveria i përmbahet për themelimin e kësaj trupe.

‘’Nuk mund të ketë një trup me kompetenca ekzekutive apo entintet. E dyta, nuk mund të ketë nivel të tretë të vetëqeverisjes dhe nuk mund ti shërbej vetëm një komuniteti”, tha Muja.

Analistja politike, Arta Tahiri, vlerëson se Kosova nuk mund t’i shmanget themelimit të Asociacionit. Por, sipas saj, Qeveria duhet ta bëjë një format  i cili nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe i cili nuk do të kishte kompetenca ekzekutive.

‘’Asociacioni është një marrëveshje ndërkombëtare dhe e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Është e rëndësishme që Asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive apo të drejta për të vepruar të ndarë nga shteti i Kosovës”, tha Tahiri.

SHBA-ja dhe BE-ja e kanë quajtur urgjente themelimin e Asociacionit sidomos pas sulmeve terroriste të 24 shtatorit në veri të vendit./Rtv21

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vladimir Putin ka dënuar edhe një herë mbështetjen e administratës Biden për…