Asociacioni për fazën finale të dialogut paraqet rrezik

25 maj 2018 | 16:13

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, Edita Tahri, ka ftuar institucionet e Kosovës që sa më shpejt ta formojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ajo ka deklaruar se lënia e formimit të Asociacionit për fazën finale të dialogut është e rrezikshme për Kosovën.  

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka bërë me dije se, nëse lejohet që Asociacioni të bëhet pjesë e bisedimeve finale, Serbia mund të parashtrojë kërkesa shtesë. “Kosova duhet ta përshpejtojë zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në mënyrë që të mos lejojë që kjo çështje të shkojë në pakon e marrëveshjes finale. Marrëveshja për Asociacionin, të cilën ne e kemi arritur në Bruksel, nuk i jep kompetenca ekzekutive Asociacionit. Nëse vonohet Asociacioni dhe hynë në pakon e bisedimeve përfundimtare, ka rrezik që Serbia mund të bëjë kërkesa devijuese jashtë marrëveshjes”, ka thënë Tahiri.

Ish-ministrja për Dialog ka deklaruar se për fazën përfundimtare të dialogut është i nevojshëm një konsensus nacional ndërmjet spektrit politik. “Mendoj se është me rëndësi të ketë një konsensus politik të gjerë. Kjo është e rëndësishme për faktin se janë vendime serioze dhe është proces që do të ketë rezultat historik, i cili lidhet me ardhmërinë evropiane të vendit tonë. Prandaj, po besoj se angazhimet që po bëhen kohën e fundit, për të krijuar një fazë të gjerë të konsensusit, do t’i japin frytet e veta, në mënyrë që Kuvendi ta miratojë platformën dhe delegacionin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Tahiri ka treguar edhe arsyet pse këto bisedime duhet t’i udhëheqë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. “Mendoj se presidenti Thaçi duhet ta udhëheqë delegacionin e Kosovës. Së pari, për arsye kushtetuese dhe, së dyti, për shkak të përvojës së madhe që ka në proceset negociatore”, ka thënë Tahiri. Ajo ka sqaruar se delegacioni i Kosovës në këtë fazë nuk duhet të bëjë më kompromise me Serbinë. Sipas saj, maksimumi që Kosova ka bërë është pakoja e Ahtisarit. “Kosova ka bërë lëshime maksimale në bisedimet e Vjenës. Pakoja e Ahtisarit është maksimumi që Kosova ka mundur të bëjë lëshime, në të cilën komuniteti serb i ka dhënë të drejta më shumë se çdo komuniteti tjetër në Kosovë dhe, si rrjedhojë, komuniteti serb gëzon më së shumti të drejta në botë. Pra, për komunitetin serb duhet të zbatohet pakoja e Ahtisarit, e cila është edhe pjesë e Kushtetutës së Kosovës. Përtej pakos së Ahtisarit Kosova nuk mund të japë asgjë dhe nuk duhet të japë, sepse kjo pako është maksimumi që ka dhënë Kosova”, ka thënë ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

“Epoka e re”: Znj. Tahiri, së shpejti pritet të fillojë faza finale e dialogut Kosovë – Serbi. Sa është e përgatitur Kosova për këtë fazë kur dihet se ende nuk ka një konsensus të spektrit politik për këtë çështje?
Tahiri: Është me rëndësi që dialogu të avancojë në fazën përfundimtare. Dialogu ndërmjet dy vendeve si proces ka qenë i gjatë dhe ka pasur mjaft rezultate të rëndësishme, sidomos për Kosovën. Kemi rikthyer sovranitetin në pjesën veriore të vendit në fusha relevante shtetërore. Në anën tjetër, faza përfundimtare ka peshë dhe do të ketë peshë në kuptimin që duhet të përmbyllet me njohjen reciproke në mes të dy shteteve. Kjo fazë duhet t’i japë fund kapitullit të armiqësive ndërmjet dy vendeve dhe duhet të hapë një kapitull të paqes dhe marrëdhënieve ndërfqinjësore, në mënyrë që gjeneratave të reja mos t’u lëmë probleme ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sa iu përket përgatitjeve, mendoj se është me rëndësi të ketë një konsensus politik të gjerë. Kjo është e rëndësishme për faktin se janë vendime serioze dhe është proces që do të ketë rezultate historike, i cili lidhet me ardhmërinë evropiane të vendit tonë. Prandaj, po besoj se angazhimet që po bëhen kohën e fundit – për të krijuar një fazë të gjerë të konsensusit – do t’i japin frytet e veta, në mënyrë që Kuvendi ta miratojë platformën dhe delegacionin e Republikës së Kosovës. Mendoj se presidenti Thaçi duhet ta udhëheqë delegacionin e Kosovës. Së pari, për arsye kushtetuese dhe, së dyti, për shkak të përvojës së madhe që ka në proceset negociatore

 “Epoka e re”: Mirëpo opozita dhe një partner i koalicionit qeverisës e kundërshtojnë mundësinë që presidenti ta udhëheqë këtë proces?
Tahiri: Duhet të punohet për ndërtimin e konsensusit. Besoj se për këtë çështje duhet të vazhdojnë bisedimet ndërmjet subjekteve politike. Nuk mund të pres që të gjitha partitë parlamentare të bëhen pjesë e konsensusit megjithatë, kur bëhet një konsensus me bazë të gjerë, krijohet legjitimitet për delegacionin e Kosovës dhe atëherë normalisht se pozicioni dhe autoriteti i delegacionit duhet të jetë më i fuqishëm. Prandaj, duhet të punohet në atë drejtim. Po i dëgjoj edhe unë reagimet dhe kundërshtimet, mirëpo duhet të punohet në këtë drejtim. Kam besim se do të arrihet një konsensus, sepse kemi pasur konsensus edhe në kohën e bisedimeve në Rambuje, pastaj edhe në ato të Vjenës. Kështu që, duhet të kemi edhe tani konsensus. Me gjithë mospajtimet apo kundërshtimet që kemi pasur, ne kemi arritur që për çështje madhore që kanë të bëjnë me interesa nacionale të ndërtohet një konsensus. Se çfarë do të jetë formula e konsensusit, se çfarë mund të kërkojnë këto parti opozitare si këmbim për këtë konsensus, ajo mbetet të diskutohet mes subjekteve politike.

“Epoka e re”: Lëvizja Vetëvendosje së fundi ka dalë me qëndrim se nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që ju dhe presidenti Thaçi t’i udhëhiqni këto bisedime. Si e keni parë këtë qëndrim të tyre?
Tahiri: Nuk dua të shpenzoj kohë të merrem me deklaratat e Vetëvendosjes dhe liderit të saj. Ajo që unë si kryenegociatore jam angazhuar për këto shtatë vjet ka qenë mbrojtja e interesave shtetërore dhe rikthimi i sovranitetit të Kosovës në veri të vendit, të cilin nuk e kemi pasur para fillimit të dialogut. E dimë se para këtij procesi, Serbia me strukturat paralele ka qenë e pranishme në pjesën veriore të vendit. Kështu që, ky dialog ka mundësuar të shuhen strukturat paralele në fushat vitale shtetërore si në polici, gjykata dhe dogana. Tani në këto fusha i kemi institucionet tona shtetërore të vendit dhe ky është një sukses i madh. Pastaj, falë këtij procesi kemi mbyllur kufirin me Serbinë, i cili ka qenë i hapur, meqenëse pikëkalimet kanë qenë të djegura. Natyrisht, ka ende punë dhe faza finale e këtij dialogu duhet të jetë vulë e njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve. Edhe pse Serbia këtë gjë po e kundërshton, do të vijë në një moment kur do ta kuptojë se në Ballkan ka ndodhur një realitet i ri. Unë pres ndryshime në mendësinë e Serbisë, ndërsa për neve vijë e kuqe në këto bisedime është njohja reciproke, sepse vetëm kjo sjell paqe dhe stabilitet në raportet e dy shteteve dhe në rajon.

“Epoka e re”: A do të jeni pjesë e delegacionit të Kosovës për këtë fazë të dialogut?
Tahiri: Këto procese duhet të zhvillohen mbi një konsensus më të gjerë. Pasi të arrihet ky konsensus dalin aktorët e procesit. Prandaj, nuk mund të paragjykoj. Pozicioni aktual politik yni dihet, pra jemi partnerë me PDK-në si Alternativë Demokratike e Kosovës. Pavarësisht se PDK-ja nuk ka arritur ta përmbushë obligimin e marrëveshjes që kemi pasur për koalicion, ne kemi shprehur mirëkuptim për pamundësinë e tyre. Pra, kjo do të varet se si do të zhvillohet ndërtimi i konsensusit dhe brenda koalicionit PDK-ADK do të thotë varet se si vijnë propozimet. Besoj se sot është herët të flasim për këtë çështje.

“Epoka e re”: Tashmë Qeveria ka dorëzuar në Kuvend një platformë. Paraqet kjo bazë të mirë për fillimin e kësaj faze?
Tahiri: Kjo fare nuk është platformë e Qeverisë për arsye se Qeveria në atë platformë nuk ka marrë asnjë detyrë. Pra, ajo është një platformë e Kuvendit, por se si ka ardhur ajo në tavolinën e Qeverisë nuk e di. Mirëpo, Qeveria e Kosovës ka një platformë shumë serioze, të cilën unë sa isha zëvendëskryeministre e kam dorëzuar në Bruksel në emër të Qeverisë. Këtë platformë e kanë botuar edhe mediet. Pra, ajo është një platformë gjithëpërfshirëse që mbështet në pesë tema kryesore: njohja reciproke ndërmjet dy shteteve; demarkacioni i kufirit ndërmjet dy shteteve; reparacionet e luftës që Serbia duhet t’ia bëjë Kosovës, ku përfshihet çështja e të pagjeturve, çështja e grave të dhunuara dhe të gjitha dëmet e tjera njerëzore dhe materiale; pastaj është suksesioni apo ndarja e pasurisë së ish-Jugosllavisë; në fund është një lloj garancie ndërkombëtare që nuk do të ketë përsëritje të gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Kur të dyja shtetet kanë qenë në luftë ekzistojnë parimet e definuara në të drejtën ndërkombëtare se si arrihet paqja. Prandaj, kemi insistuar të respektohet e drejta ndërkombëtare në marrëveshjen përfundimtare.

“Epoka e re”: Në opinionin publik shqetësimet janë se Kosova sërish do të bëjë kompromis për ta fituar njohjen nga Serbia dhe karrigen në OKB?
Tahiri: Kosova ka bërë lëshime maksimale në bisedimet e Vjenës. Pakoja e Ahtisarit është maksimumi që Kosova ka mundur të bëjë lëshime, në të cilën komunitetit serb i ka dhënë të drejta më shumë se çdo komuniteti tjetër në Kosovë dhe, si rrjedhojë, komuniteti serb gëzon më së shumti të drejta në botë. Pra, për komunitetin serb duhet të zbatohet pakoja e Ahtisarit, e cila është edhe pjesë e Kushtetutës së Kosovës. Përtej pakos së Ahtisarit, Kosova nuk mund të japë asgjë dhe nuk duhet të japë, sepse kjo pako është maksimumi që ka dhënë Kosova.

 “Epoka e re”: Frika është se në kuadër të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Serbia në këtë fazë do të kërkojë të drejta shtesë për serbët?
Tahiri: Pikërisht për këtë Asociacioni duhet të zbatohet sa më shpejt. Derisa bëhet hartimi i statutit të Asociacionit, Serbia duhet t’i plotësojë obligimet e veta, duke zbatuar marrëveshjen për energjinë, ta lejojë hapjen e urës së Ibrit, t’i kthejë regjistrat kadastralë, ta bëjë njohjen e diplomave dhe t’i kryejë obligimet e tjera që i takojnë. Ndërsa Kosova duhet ta përshpejtojë zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në mënyrë që të mos lejojë që kjo çështje të shkojë në pakon e marrëveshjes finale. Marrëveshja për Asociacionin, të cilën ne e kemi arritur në Bruksel, nuk i jep kompetenca ekzekutive Asociacionit. Nëse vonohet Asociacioni dhe hynë në pakon e bisedimeve përfundimtare, ka rrezik që Serbia mund të bëjë kërkesa devijuese jashtë marrëveshjes.

Muhamet KOCI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka…