‘Asociacioni s’ka më kuptim’, opozitari serb bën fushatë në Graçanicë
Politikani opozitar serb, Miroslav Aleksiq, gjatë vizitës së tij në Graçanicë në funksion të fushatës elektorale të tij për zgjedhjet parlamentare serbe të 17 dhjetorit, e ka quajtur “të pakuptim” Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe derisa u ka kërkuar votën serbëve të Kosovës.
Aleksiq u ka thënë të pranishmëve në dëgjimin e tij se ai e kundërshton planin franko-gjerman, tashmë marrëveshje bazike në mes të Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje të cilën sipas tij nuk e ka pranuar Serbia “por, Aleksandër Vuçiqi personalisht”.
“Prandaj, çfarëdo marrëveshje që nënkupton njohjen e Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, nuk është dhe as s’mund të jetë e pranueshme për Serbinë. Ne mund të flasim për ndonjë marrëveshje dhe zgjidhjet tjetër”, ka thënë Aleksiq.
Asociacioni i komunave të banuara me shumicë serbe “e ka humbur krejtësisht kuptimin”,, ka thënë opozitari nga Serbia.
“Asociacioni do të duhej të ishte formuar shumë më herët kur u nënshkrua marrëveshja e Brukselit, atëherë kur kishte kuptim. Në këtë moment, Asociacioni është veç hedhje pluhur syve se gjoja serbët morën diçka, por në thelb, nuk do marrim kurrgjë. Gjithçka duhet të kthehet nga fillimi”, ka thënë opozitari serb.