Asociacioni, ura në Mitrovicë dhe energjia, temat që do të diskutohen në Bruksel
Takimi i ardhshëm në mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë do të zhvillohet më 26 shkurt në Bruksel.
Këtë e ka konfirmuar, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian (BE) për politikë të jashtme, Federica Mogherini.
Ndërsa shefi i delegacionit të Kosovës, Avni Arifi, ka thënë për “lajmi.net” se gjatë këtij takimi do të diskutohet rreth zbatimit të marrëveshjeve të arritura.
“Temat që do të diskutohen në këtë takim i cili do të udhëhiqet nga Brukseli, janë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ura e Mitrovicës dhe energjia”, ka thënë Arifi.
Në anën tjetër, i ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq, i cili është kryesues i delegacionit serb për bisedimet teknike, është shprehur i gatshëm të diskutojë rreth zbatimit të marrëveshjes për themelimin e komunave me shumicë serbe, pasi sipas tij nuk ka çështje më të rëndësishme.
Ai ka shtuar se delegacioni i Beogradit pret përgjigje në shumë pyetje rreth vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq edhe pse kjo çështje nuk përfshihet në agjendën e Brukselit.