Assadi shpallet fitues i zgjedhjeve në Siri
Diktatori sirian Bashar al-Assad ka fituar 95 për qind të votave dhe rrjedhimisht një mandat të katërt shtatë-vjeçar si president i vendit të shkatërruar nga lufta.
Rezultatet e zgjedhjeve në Siri u shpallën më 27 maj. Këto ishin zgjedhjet e dyta presidenciale që kur filloi konflikti 10 vjet më parë.
Opozita dhe vendet perëndimore i kanë quajtur mashtrim.
Qeveria ka njoftuar se më shumë se 12,000 qendra votimi ishin ngritur në të gjithë vendin për zgjedhjet e 26 majit.
Asadi kandidoi për pozitën e presidentit kundër dy figurave pak të njohura.
Në Sirinë verilindore nuk u votua, pasi ai rajon kontrollohet nga luftëtarët kurdë të mbështetur nga SHBA-ja. Zgjedhjet nuk u organizuan as në provincën veriperëndimore të Idlibit, bastioni i fundit i madh i rebelëve në këtë vend.
Për sirianët që jetojnë jashtë vendit, kutitë e votimit u hapën javën e kaluar në ambasadat e Sirisë, por atyre u kërkohej të paraqisnin një pasaportë të vlefshme e cila duhej të kishte vulën e daljes nga vendi.
Kjo kërkesë u pamundësoi votimin miliona sirianëve refugjatë që jetojnë jasht vendit.
Disa vende që kundërshtojnë Asadin bllokuan votimin, duke përfshirë Turqinë dhe Gjermaninë, të cilat mbajnë komunitete të mëdha refugjatësh sirianë.
Lufta civile siriane shpërtheu më 2011 kur protestat kundër Asadit u kthyen në një kryengritje të armatosur si përgjigje ndaj një goditjeje brutale ushtarake të forcave të Asadit. Luftimet kanë lënë gati gjysmë milioni të vdekur dhe gjysmën e popullsisë së vendit të zhvendosur, duke përfshirë më shumë se 5 milion refugjatë jashtë Sirisë.