“AstraZeneca” sërish probleme me prodhimin
Firma farmaceutike “AstraZeneca” i tha Bashkimit Evropian se pret të dërgojë vetëm gjysmën e dozave të premtuara për tremujorin e dytë.
E pyetur nga “Reuters”, “AstraZeneca” nuk e mohoi lajmin, por shtoi se po punonte për të shtuar kapacitetet prodhuese dhe për të dërguar 180milionë dozat e premtuara për tremujorin e dytë të 2021.
Reduktimi i dozave të premtuara për tremujorin e dytë, pason problemet që “AstraZeneca” dhe firma të tjera farmaceutike patën me objektivat e tremujorit të parë, plot 70% më pak se plani.
Një zyrtar evropian që është i lidhur direkt me zbatimin e kontratës me firmën anglo-suedeze, tha se blloku pritet të marrë më pak se 90milionë doza në tremujorin e dytë, nga 180 milionë që janë parashtruar në kontratë.
Deri në fund të qershorit, “AstraZeneca” do të dërgojë gjithsej në Bashkimin Europian rreth 130 milionë doza, shumë më pak se 300 milionë dozat që kishte premtuar.
Bashkimi Evropian është ndeshur gjithashtu me vonesa edhe nga dyshja Pfizer dhe BioNTech si dhe Moderna. Deri më tani vetëm këto tre vaksina janë miratuar për përdorim nga rregullatori europian i barnave.
Ndërkaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi të martën se numri i vdekjeve të lidhura nga komplikacionet e koronavirusit ra me 20 për qind javën e kaluar, ndërsa rastet po bien për të gjashtën javë radhazi./Klan News/