Astrit Palushi, afarist i suksesshëm në Gjermani
Në çdo vend të botës gjen shqiptarë të suksesshëm, punëtorë, të sjellshëm, të respektuar dhe të ndershëm. Një shqiptar bujar, pronar të një restoranti, në javën e kaluar e gjetëm në rrethinën e Mynhenit, në rrugën Wangener Weg 17 në Schäftlarn të Gjermanisë.
Astrit Palushi nga komuna e Malishevës që nga koha e luftës jeton dhe punon në Gjermani. Deri në vitin 2019 punonte menaxher në një restorant italian, kurse nga viti 2019 ka hapur restorantin e vet “Schäftlarner Einkehr by Astrit Palushi”, në të cilin qindra personave, në një hapësirë rreth 400 metra katrorë, u shërben ushqime të shumta, cilësore dhe të sigurta nga kuzhina italiane, që nga dita e martë deri të dielën.
Në këtë restorant ka të punësuar njëzet veta, më shumë se pesëmbëdhjetë prej tyre shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Në restorantin e tij, kapur me qendrën sportive “Schäftlarner Einkehr TSV Sportgaststatte”, ushqehen sportistë të ndryshëm, afaristë, njerëz të kulturës dhe të shkencës, qytetarë gjermanë dhe të huaj. Ai, gjatë bisedës me të për përvojën e punës në Gjermani, na rrëfeu për punën që bën ai dhe punëtorët e tij.
“Këtë restorant e kam hapur në vitin 2019. Kam të punësuar njëzet veta. Çdo ditë porositim ushqime të freskëta, prandaj edhe kemi punë shumë. Vijnë qytetarë gjermanë, italianë, spanjollë, francezë, zviceranë, shqiptarë e të kombësive të ndryshme. Na falënderojnë për ushqimet e shijshme. Na shprehin respekt të madh edhe për mikpritjen. Vijnë, po ashtu, njerëz të kulturës dhe të shkencës. Çdo ditë sportistë, të cilët stërviten në palestrat që kemi këtu afër, ngjitur me restorantin, po ashtu edhe futbollistë në këto dy fushat përballë nesh. Organizojmë edhe ahengje të ndryshme, natyrisht me porosi, sepse çdo ditë, që nga mëngjesi deri në darkë, restorantin e kemi përplot njerëz”, tregoi Palushi, i cili nuk është vetëm shef, por shpeshherë kryen edhe detyrën e kamerierit dhe të kuzhinierit.
Ai na tha se në restorant më së shumti ka të punësuar shqiptarë. “Pjesën më të madhe të punëtorëve e kam nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Ua kam dhënë mundësinë edhe ta tregojnë talentin e vet në kuzhinë dhe në shërbim, por edhe të marrin përvojë të mirë dhe një ditë të bëhen pronarë biznesesh. Jam shumë i kënaqur me punën e tyre, me sjelljen, me korrektësinë, me pritjen që ua bëjnë klientëve”, shtoi Palushi.
Përpos në restorant, Palushi ushqime u dërgon klientëve edhe në derë të shtëpisë. “Çdo ditë kryejmë qindra porosi në zonën përreth nesh. Klientët e bëjnë porosinë online, e bëjnë pagesën nëpërmjet bankës dhe brenda pak minutash ua dërgojmë porosinë deri te dera e shtëpisë dhe banesës. Kanë besim në punën tonë dhe në ushqimin tonë. Dhe ne, duke parë që puna po na shtohet çdo muaj, po planifikojmë ta rritim stafin dhe hapësirën dhe të investojmë edhe më tutje në restorant”, tregoi Palushi.